Më shumë shkolla

Isa Mustafa ka premtuar se do të rrisë cilësinë e arsimit në shkolla. Ai tha se në rast të rimarrjes së pozitës së Kryetarit të Prishtinës, do të ndërtojë edhe shkolla të reja.

Lajme

12/10/2013 12:31

Isa Mustafa që po kërkon edhe një mandat të tretë për komunën e Prishtinës, premtoi ndërtim të shkollave e institucioneve tjera parashkollore në kryeqytet.

Këto premtime ai i bëri sot në një takim me punëtorët e arsimit të Komunës së Prishtinës.

“Objektiv strategjik i yni është ta sigurojmë menaxhimin cilësor të shkollave”.

“Në pikëpamje të investimeve kapitale ne si komunë gjatë këtyre katër viteve kemi investuar mbi 20 milionë euro investime kapitale në ndërtimin e objekteve shkollore”.

“Në periudhën e ardhshme kohore, ne konsiderojmë se kemi nevojë që të ndërtojmë shkolla në lokacionet ku ato mungojnë. Duhet të ndërtojmë një shkollë në Veternik në lagjen Prishtina e re, një shkollë në Kalabri, një tek Përroi i Njelmët dhe një shkollë tek Mati 1”.

“Do të ndërtojmë edhe pesë institucione parashkollore në pjesët e ndryshme të qytetit, kemi nevojë të ndërtojmë një tek Mati 1, te Fusha e Pajtimit, në Arbëri dhe kemi nevojë të ndërtojmë në Kalabri në mënyrë që ta bëjmë një çark të qyteti me institucione të edukimit parashkollor”.

“Me kalimin e kohës neve po na përmirësohet rezultati i shkollave, po përmirësohet cilësia e shkollave dhe këtë cilësi nuk po e matim vetëm përmes notimit, por edhe përmes arritjes së rezultateve të gjeneratave nëpër universitetet prestigjioze evropiane dhe ato të SHBA-së”, tha kryetari Mustafa.

Mustafa ka theksuar se disa shkolla të Prishtinës nuk dallojnë fare nga shkollat në Perëndim.

Por ai ka qenë kritik ndaj, siç ka thënë ai, politizimit të shkollave.

“Nuk jam për atë që ne ta politizojmë shkollën. Shkolla duhet të mbetet e pa politizuar, kuadri mësimor duhet të mbetet i pa politizuar i cili është kryesisht i përkushtuar që t`i mësojnë fëmijët”.