Më shumë se gjysma e semi-maturantëve kalojnë testin (Video)

Rezultatet e nxjerra nga testi i arritshmërisë së klasave të 9-ta tregojnë që niveli i kalueshmërisë në nivel vendi është 62.6 për qind, kurse lënda e gjuhës angleze mbetet më e preferuara për nxënësit kosovarë, ku kalueshmëria është 85.8 për qind që pasohet nga informatika me 72.6 për qind. Rezultatet tjera, sipas lëndëve janë: Gjuhë…

Lajme

08/06/2015 13:21

Rezultatet e nxjerra nga testi i arritshmërisë së klasave të 9-ta tregojnë që niveli i kalueshmërisë në nivel vendi është 62.6 për qind, kurse lënda e gjuhës angleze mbetet më e preferuara për nxënësit kosovarë, ku kalueshmëria është 85.8 për qind që pasohet nga informatika me 72.6 për qind.

Rezultatet tjera, sipas lëndëve janë: Gjuhë amtare 63.9 për qind, Histori 65 për qind, Gjeografi 57.6 për qind, Matematikë 63.8 për qind, Fizikë 48.2 për qind, Kimi 57.9 për qind dhe Biologji 60.1 për qind.

Këto të dhëna u publikuan në konferencën e mbajtur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku u paraqitën të dhënat e para zyrtare mbi numrin e kalueshmërisë në nivel vendi dhe sipas lëndëve.

Azem Guri, këshilltar politik i ministrit të Arsimit deklaroi se qëllimi i këtij testimi është matja e njohurive të nxënësve, që shërben për regjistrim në shkollat e mesme të larta.

“Me këtë test do të maten njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve, njëkohësisht nxënësve të klasave të nënta ky test do tu shërbejë për regjistrimin e tyre në shkolla të mesme të larta”, tha ai, transmeton lajmi.net.

Publikimi i konkursit për regjistrim në shkollat e mesme të larta do të bëhet nga drejtoritë komunale të Arsimit më 18 qershor dhe do të zgjasë tri ditë, më 18,19 dhe 22 qershor.

Në konferencë u bë e ditur se numri i kalueshmërisë në nivel vendi në krahasim me vitin e kaluar është përafërsisht i njëjtë por me disa ngritje në lëndë të caktuara.

Testimit i janë nënshtruar 34 mijë nxënës, në 100 qendra të testimit, në 3 gjuhë – shqipe, turke dhe boshnjake. Në monitorim kanë qenë të angazhuar 346 komisionarë.

YouTube player