Më shumë policë në Veri

EULEX thotë se pjesëtarët e policisë ndërkombëtare do të jenë të fokusuar veçanërisht në Veri të Kosovës, gjatë kohës së zgjedhjeve të 3 nëntorit. Policia e Kosovës, ndërkaq, ka lëshuar urdhrin operativ për të gjitha drejtoritë rajonale.

Lajme

11/10/2013 20:30

Zëdhënësi i EULEX’it, Blerim Krasniqi, ka deklaruar se pjesëtarët e policisë ndërkombëtare do të jenë të fokusuar në veçanërisht në Veri të Kosovës, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet elektorale të 3 nëntorit.

“EULEX-i, në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in, do të mbështesë Policinë e Kosovës në ofrimin e sigurisë gjatë zgjedhjeve. Fokusi i EULEX-it do të jetë veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës. Për këtë arsye, EULEX-i do të rrisë praninë policore në veri”, ka thënë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Siç raporton REL, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës tashmë ka lëshuar urdhrin operativ për të gjitha drejtoritë rajonale dhe stacionet policore dhe është duke vepruar në bazë të atij urdhri.

“Bazuar në planin policor, ne kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të ofrojmë siguri për të gjithë qytetarët dhe për të gjithë pjesëmarrësit që mund të jenë të përfshirë në një mënyrë, apo një tjetër në procesin zgjedhor. Kjo siguri do të ofrohet edhe në pjesën e veriut të Mitrovicës. Atje kemi një bashkëpunim të mirë edhe me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë Zëdhënësi i Policë së Kosovës, Baki Kelani, për REL.

Kelani, po ashtu, ka deklaruar se në Veri të Kosovës, ashtu si edhe në pjesët e tjera të vendit, situata është e qetë dhe nuk ka pasur ndonjë problem sa i takon procesit zgjedhor.