Me rroga të krerëve të shtetit, Kosova ia kalon edhe Kinës e Indisë

Lideri më i paguar në mesin e politikanëve të botës është presidenti amerikan, Barack Obama, i cili ka një pagë vjetore prej 400 mijë dollarësh, ndërsa lideri komunist kinez, Xi Jinping renditet në vendin e 12-të, me pagën më të ulët vjetore prej 22 mijë dollarësh.

Lajme

11/03/2015 19:24

Pas Obamës vjen kryeministri kanadez, Stephen Harper, i cili ka pagë vjetore prej 260 mijë dollarësh, ndërsa i treti në listën e liderëve më të paguar në vendet më të zhvilluara gjendet kancelarja gjermane, Angela Merkel, me të ardhura vjetore prej 234,383 dollarësh, transmeton Telegrafi.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma merr 223,600 dollarë në vit, ndërsa kryeministri britanik, David Cameron 214,782 dollarë – përfshirë edhe pagën e deputetit.

Vendi i gjashtë i takon presidentit japonez, Shinzo Abe, me 202,700 dollarë në vit, ndërsa presidenti francez François Hollande do të renditej edhe më mirë nëse paga e tij nuk do të ulej për 30 për qind pas ardhjes në pushtet. Të ardhurat vjetore të tij arrijnë në 194,300 dollarë.

Vlladimir Putin gjendet në vendin e tetë, pasi javën e kaluar uli pagën e tij me 10 për qind për shkak të krizës ekonomike. Ai tashti paguhet 136,000 dollarë në vit, pasojnë kryeministri italian, Matteo Renzi, i cili fiton 124,600 dollarë; presidentja braziliane Dilma Rousseff – me 120 mijë dollarë, etj.

Megjithëse ekonomia kosovare renditet ndër të fundit në Evropë, ajo mund të krenohet se liderët e saj i paguan më shumë se presidenti kinez dhe kryeministri indian.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, që ka pagën më të lartë nga të gjithë zyrtarët shtetërorë, paguhet 2,873 euro në muaj për punën e saj, apo me 34,478 euro në vit (36,456 dollarë). Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka një pagë mujore prej 2,700 eurosh, ndërsa kryeministri Isa Mustafa ka një pagë vjetore prej 17,318 euro (18,312 dollarë), apo 1,443 euro në muaj.