Më në fund deklarohet Kurti, del kundër marrëveshjeve të Mynihut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas takimit që ky i fundit ka zhvilluar në Mynih me krerët e Ballkanit Perëndimor.

Lajme

14/02/2020 21:23

Ai nëpërmjet një postimi në Facebok ka dalë kundër marrëveshjeve që janë arritur sot në Mynih ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan lajmi.net.

Ai është shprehur se marrëveshja është nënshkruar nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe sipas tij ata nuk kanë marrë autorizim nga qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje.

Kurti është shprehur se sado që është e rëndësishme të ketë përmirësim të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal është me rëndësi që procesi të jetë transparent.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Sot në Berlin janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare.

Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së.

Për më tepër, nëse bazohemi te një verzion i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare.

Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet. /Lajmi.net/