Me kë duhet krahasuar Lulzim Basha?

Basha nuk është modeli i Berishës dhe nuk ka asnjë shans t’i ngjajë; por nuk më duket se bën ndonjë përpjekje për t’u distancuar apo për të krijuar me qëllim një model të ndryshëm nga ai.

Opinion

24/02/2014 16:46

E duan apo e kontestojnë; besojnë se ishte zgjidhja e duhur apo jo, shumica e komentatorëve pranë opozitës janë dyzuar nga protesta e PD më 20 shkurt.

Ithtarë apo kundërshtarë të Bashës, ata janë befasuar kur turma është shpërndarë qetë, ca në rrugët e Bllokut e ca në autobusët e Bathores, në më pak se 2 orë. Duke lënë një ndjesi që s’e kanë pasur mitingjet e tjera: Nuk kishte aq batuta kërcënuese; nuk u evidentua sa duhet “armiku” në godinën përballë; nuk u bënë ultimatume; nuk pati ndonjë tentativë për t’iu afruar kërcënueshëm gardhit të policisë dhe as nuk u dridh ajri i elektrizuar nga akuzat për bëmat e qeverisë. Ishte një protestë dhe kaq.

Një protestë që prodhoi ndjesi të kundërta në këtë rast. Një pjesë u entuziazmuan dhe besojnë se kjo ishte dita që Basha u bë lideri i vërtetë i PD, por një lider me strategji ndryshe; të tjerët u trishtuan se Basha nuk u bë lideri që prisnin, nuk shpërtheu në denoncime; nuk përmendi emra, por foli për ligje dhe demokraci.

Kam përshtypjen se nga pak janë të gabuar të dyja grupimet, që po kapërthehen në shtyp. Të parët nuk kanë përse të gëzohen. Nuk kanë pse të besojnë se e gjithë kjo ishte një strategji për t’u dukur ndryshe nga modeli tradicional i Berishës në PD. Për mua, Basha s’ka bërë asnjë distancim nga Berisha, as ka zgjedhur një rrugë politike, qëllimisht ndryshe nga ajo që ka ndjekur ai për 23 vjet në parti. Kam përshtypjen që as e mendon këtë gjë!

Të dytët gabohen kur besojnë se Basha nuk bëhet dot lider karizmatik. Që nuk e trash dot zërin apo nuk mban fjalime apokaliptike në qiellin përpara Kryeministrisë; që nuk tjerr listën e akuzave dhe nuk lidh në të gjysmën tjetër të Parlamentit shqiptar. Nuk kanë pse të shqetësohen duke besuar se është i paaftë ta bëjë këtë. Thjesht Basha nuk mund ta bëjë këtë gjë. Edhe në këtë rast unë mendoj që ai as e ka menduar, as e ka tentuar këtë gjatë 7 muajve që drejton PD!

Problemi është që të gjithë ne kemi në kokë një model të liderit të opozitës. Një model që në Shqipëri e ka plazmuar për 23 vite me humbje dhe suksese Sali Berisha, pa dyshim njeriu politik më influent në këtë vend. Modeli i Berishës është ai që ka dominuar të shkuarën dhe i vetmi model të cilit i referohemi: Nëse Basha flet si ai, bëhet një “Berishë” në miniaturë; nëse Basha flet ndryshe, ai devijon nga vija tradicionale e të bërit opozitë. Pa dyshim që asnjë nga këto s’qëndron. Ose të dyja ngërthehen nga pak.

Berisha ka qenë e mira dhe e keqja e PD. Ai e ka mbajtur atë në pushtet për 13 vjet, nga 22 që e drejtoi (Berisha zëvendësi Hajdarin si kryetar I PD më 14 shkurt 1991). Basha nuk është modeli i Berishës dhe nuk ka asnjë shans t’i ngjajë; por nuk më duket se bën ndonjë përpjekje për t’u distancuar apo për të krijuar me qëllim një model të ndryshëm nga ai. Thjesht Basha është i tillë, funksionon kështu një produkt i kohës që jeton.

Berisha reflektonte tjetër atmosferë. Opozita e viteve 1990–1992 ishte opozitë e ndryshimit të sistemeve; ishte opozitë me një të shkuar 46-vjeçare dhe me rikthimin e dinjitetit të një shoqërie të sfilitur nga izolimi, ateizmi, lufta e klasave dhe uria evidente. Retorika antikomuniste ishte gati nevojë për një komb që kishte dalë në dekadën e fundit të shekullit XX, duke kuptuar që kishte ecur qorrazi, për të mos thënë në mënyrë tragjike për disa dekada. Ai moment kërkonte tjetër retorikë dhe karizëm.

Opozita e viteve 1997–2005 ishte një opozitë në një moment shumë delikat. Shpartallimi i PD në jug dhe sidomos armiqësimi me pjesën më të madhe të popullatës për humbjet në skemat piramidale kërcënonte vetë vijueshmërinë e PD (ashtu siç kishte ndodhur me shumicën e partive të para antikomuniste në Lindje). Mbajtja e unifikuar dhe përballja me një maxhorancë të frikshme ishte misioni kryesor i Berishës. Ai e arriti këtë ashtu siç dinte dhe siç ka bërë gjithnjë: duke hyrë në betejë pas beteje dhe duke i vënë gjoksin çdo përballjeje me kundërshtarët e tij. Berisha u rikthye në pushtet dhe mbijetoi ndërkohë që gjithë bashkëpolitikanët që hynë me të në vitet 1989–1990 qenë larguar tashmë. Ai mbijetoi falë situatës së vetë shoqërisë shqiptare dhe, në mbyllje të mandatit të tij 22-vjeçar, i takon historisë të bëjë bilancin me politikanin pa dyshim më të rëndësishëm të këtij çerekshekulli në Shqipëri. Ajo do t’i vendosë mbi dëftesë notën përfundimtare për të!

Basha nuk mund të jetë një Berishë, sepse në këtë kohë, 23 vjet pas pluralizmit dhe në momentet që kemi dy ndryshime pushteti rresht paqësore, ai do të ngjante komik sikur të përdorte stilin dhe gjuhën e Berishës më shtator 1997.

Basha nuk mund të jetë Berishë. Nuk e lejon koha dhe brezi të cilit i takon. Ai duhet të jetë lider për 68% të shqiptarëve, që janë sot nën 40 vjeç. Pra, që s’kanë njohje direkte të komunizmit dhe as ngarkesën që liderët tradicionalë të PD kanë për atë kohë. Ai duhet të jetë lider i një brezi që nuk po drejtohet nga libri, por nga iphone dhe ipad; I një brezi ku interesi personal është më i rëndësishëm sesa ndarja tradicionale ideologjike në familje, që kishte kaq peshë në vitet ’90. Duhet të ketë të tjera prioritete dhe të tjera shqetësime nga ato me të cilat u përball PD–ja në 1997. Ndaj kush e sheh ndryshe nga modeli i asaj kohe, s’ka pse ta bëjë fare atë krahasim. Do ishte gabimi më i madh. Basha nuk bëhet dot Berishë, por as po tenton të jetë ndryshe nga ai. Thjesht po jeton kohën e tij!

Nuk e di nëse Lulzim Basha do të jetë një politikan i suksesshëm apo jo?!

Ka shumë veta që janë gati të vënë bast për këtë gjë, por edhe kjo s’ka pasur shumë rëndësi në Shqipëri. Kush është kreu i opozitës, ndjek rrugën e fatit të tij dhe një ditë vjen në pushtet. Basti i tij real me politikën është ajo ditë. Siç pritet të jetë ky mandat për Edi Ramën. Rëndësi ka që Basha të krahasohet si kryetar me aksionin dhe produktin e tij dhe jo me Berishën e para 15 viteve.

Nuk di se sa kohë do t’i duhet Bashës që t’i bindë të tjerët, në radhë të parë partinë e tij për të mos e krahasuar me Berishën. Besoj se shumë kohë (Nisur edhe nga protagonizmi gjithnjë i lartë i Berishës në jetën publike), por nguti nuk është prioritet i tij. Shtatë muaj kryetar janë shumë pak. Basha ka aleat kohën dhe çelësi i vetëm i suksesit të tij është që të jetë një politikan në përputhje me kohën që jeton. Ky është basti i tij i madh e njëkohësisht rruga e vetme për të sjellë një ditë PD në pushtet.

 

(Panorama)