Me armë lodër u soll me agresivitet ndaj ushtarëve të KFOR’it: Arrestohet një person në veri

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) njoftoi të enjten nëpërmjet një postimi në “Facebook” se një person me probleme mendore kanosi me armë ushtarët italianë të KFOR-it në pjesën veriore të Urës së Ibrit që banohet kryesisht nga pjesëtarë të komunitetit serb, ndërsa gjithashtu bëhet e ditur se personi në fjalë u arrestua nga Policia…

Lajme

29/02/2024 21:51

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) njoftoi të enjten nëpërmjet një postimi në “Facebook” se një person me probleme mendore kanosi me armë ushtarët italianë të KFOR-it në pjesën veriore të Urës së Ibrit që banohet kryesisht nga pjesëtarë të komunitetit serb, ndërsa gjithashtu bëhet e ditur se personi në fjalë u arrestua nga Policia e Kosovës dhe ndodhet në paraburgim.

“Sot pasdite, në afërsi të Urës së Ibrit (Austerlitz), në anën veriore të komunës së Mitrovicës, një person mbante armë zjarri. Ai filloi të sillej në mënyrë agresive ndaj një patrulle të karabinierëve të caktuar në Njësinë e Specializuar të misionit të udhëhequr nga NATO. Personeli i KFOR-it siguroi veten, përdori armët dhe urdhëroi personin të ndalonte sjelljen e tij agresive”.

“Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishme dy ekipe të Policisë së Kosovës. Ata rrethuan dhe arrestuan individin. Arma është identifikuar si një kopje e një pistolete Walther P99. Individi ishte i njohur për autoritetet lokale dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ai aktualisht ndodhet në paraburgim, në pritje të procedurave të mëtutjeshme ligjore”, tha KFOR-i.

KFOR-i ndër të tjera përsëriti se do të vazhdojë të zbatojë mandatin në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, përfshirë garantimin e lirisë së lëvizjes në këtë zonë në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.