Më 3 korrik nis autostrada për në Shkup, kostoja 600 milionë euro

Ministria e Infrastrukturës dhe kompania “Bechte&Enka” e kanë nënshkruar sot kontratën për ndërtimin e autostradës së re “Prishtinë-Hani i Elezit”, ose Rruga 6.

Lajme

01/07/2014 19:01

Ky projekt është vlerësuar të jetë prioritar qysh në vitin 2008, por për realizimin e tij Qeveria nisi të punojë në qershor të 2012-ës, me caktimin e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Rrugës 6, raporton KosovaPress.

Në një njoftim të Ministrisë së Infrastrukturës thuhet se për më shumë se dy vite është punuar intensivisht nga Komiteti Drejtues, zyrtarë dhe ekspertë të shumtë dhe janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore e administrative, për të siguruar transparencë të plotë, dhe për të arritur një kontratë sa më të favorshme ekonomike.

Ministria e Infrastrukturës bën me dije se projekti i autostradës “Prishtinë-Hani i Elezit ka çmimin fiks prej 599,944,263.54 euro.

Sipas MI-së, kjo është kontrata më e mirë dhe më e favorshme e arritur në rajon.

“Pas suksesit të dëshmuar në ndërtimin e Rrugës së Kombit, realizimit në kohë rekorde dhe me standardet më të mira dhe vlerësime e çmime ndërkombëtare, Qeveria e Republikës së Kosovës po nis realizimin e projektit të dytë më të madh infrastrukturor në historinë e vendit tonë”, thuhet në njoftimin e MI-së.

Ministria e Infrastrukturës thotë se Kosova po shndërrohet kështu në nyje të rëndësishme infrastrukturore që lidh popujt dhe vendet, ekonomitë dhe perspektivën zhvillimore si parakusht për integrimet euro-atlantike.

Punimet në ndërtimin e kësaj vepre nisin më 3 korrik, në orën 11:00 në nyjën lidhëse të Rrugës së Kombit R7 me autostradën e re R6.