Më 28 janar takohen në Bruksel
Ivica Dacic thotë se takimi i radhës në Bruksel me homologun e tij Hashim Thaçi do të mbahet më 28 janar. Ai pohon se gjatë këtij takimi do të diskutohet për formimin e qeverisjeve të reja lokale në katër Komunat e Veriut.

Lajme
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka paralajmëruar se bisedimet Beograd-Prishtinë do të vazhdojnë më 28 janar.
Siç raporton B92, ai ka thënë se për këtë është pajtuar edhe me Përfaqësuesen e Lartë të BE’së, Catherine Ashton.
“Ne jemi pajtuar edhe me Përfaqësuesen e Lartë të BE’së, Catherine Ashton, që dialogu të vazhdojë më 28 janar”.
“Vazhdimi i dialogut ka qenë kyç për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Duhet gjetur një zgjidhje për krijimin e qeverisjeve të reja në komunat me shumicë serbe në Kosovë”.
“Ne duhet të gjejmë një zgjidhje dhe jo të vetizolohemi”.
Duke komentuar refuzimin e Krstimir Pantic për t’u betuar në postin e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Dacic ka deklaruar se “ai ka qenë një veprim i tij personal”.
Kryeministri i Serbisë, po ashtu, raporton B92, ka shprehur shqetësim për këmbëngulësinë e Prishtinës për ta përmendur shtetësinë e saj në çdo moment.
“Problemi është se disa çështje periferike po bëhen çështje kryesore politike dhe Prishtina po pretendon që në çdo rast të pohojë shtetësinë e saj”.
Dacic ka shtuar se Qeveria e Serbisë nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që bie ndesh me neutralitetin e statusit.
“Është e rëndësishme që Qeveria e Serbisë ka një politikë të unifikuar dhe në asnjë moment nuk do të pranojë shantazhe lidhur me çështjen e statusit”.