Më 2015, pa kontroll në kufirin Kosovë-Shqipëri, thotë Rama
Qeveria në Tiranë synon që në vitin 2015 të heqë plotësisht kontrollin në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Lajme
Kryeministri Edi Rama theksoi vendosmërinë për transformimin përfundimtar të kufirit mes të dy vendeve gjatë sezonit turistik.
Ai u zotua që prej vitit 2015 të mos ketë asnjë pengesë dhe kontroll në lëvizjen e shtetasve dhe mjeteve në Kosovë dhe Shqipëri, veçanërisht në sezonin turistik.
Kryeministri shqiptar theksoi vendosmërinë për transformimin përfundimtar të kufirit të Shqipërisë me Kosovën. Këtë ai e tha gjatë një takimi me drejtues të Policisë së Shtetit, që kishte për temë mbrojtjen e territorit, mjedisit dhe luftën kundër trafiqeve, drogës dhe krimit të organizuar.
“Kemi hedhur një hap të parë, por të pamjaftueshëm, për ta shndërruar kufirin që ndan Shqipërinë me Kosovën në një kufi joekzistues gjatë periudhës së sezonit turistik. Por, do të përgatitemi që vitin e ardhshëm kufiri të jetë i lirë dhe mjetet që qarkullojnë në atë kufi në funksion të prurjeve të turistëve nga Kosova, të qarkullojnë pa asnjë kontroll”, theksoi ai.
Ai shprehu kënaqësinë edhe për rritjen e turizmit.
“Me 14 për qind të fluksit të vizitorëve. Duke iu referuar numrit total të vizitorëve të huaj jorezidentë, jemi tani mbi 1 milionë e 200 mijë”, tha ai.
Rama ka folur edhe për ndaljen endërtimeve pa leje, duke thënë se ndërtim i pa leje duhet të kualifikohet si një vepër penale, si një krim që është i barabartë me vrasjen.