Me 17 nëntor përforcohet Veriu

Në pjesën Veriore aktualisht janë të angazhuar 240 policë. Nëse ka nevojë, Besim Hoti thotë se numri i tyre mund të rritet më 17 nëntor, kur do të rivotohet në tri vendvotimet e shkatërruara gjatë procesit elektoral të kësaj të diele.

Lajme

07/11/2013 15:11

Policia e Kosovës do të shtojë prezencën e saj në Veri të Mitrovicës, më 17 nëntor, kur do të rivotohet në tri vendvotimet e shkatërruara gjatë procesit elektoral të kësaj të diele,  nga grupet ekstremiste me maska.

Zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për Veriun, Besim Hoti, ka deklaruar për RFE se forcat e rendit kanë marrë mësim nga 3 nëntori, kur sulmues me maska u futën në shkollën fillore “Shën Sava” dhe në Shkollën e Mjekësisë dhe ndërprerë dhunshëm procesin duke shkatërruar edhe materialin zgjedhor në këto vendvotime.

“Me datën 17 nëntor ne do të kemi këtë prezencë më të shtuar të personelit tonë”.

“Kemi marrë disa mësime nga e kaluara dhe do të mundohemi edhe që t’i evitojmë ose më mirë të them që t’i përmirësojmë disa nga ngecjet që janë evidentuar pas vlerësimit të datës 3 nëntor”.

“E kam fjalën për planin operativ policor, dhe gjithsesi do të mundohemi që këto elemente negative t’i minimizojmë në shkallën më të ulët”.

“Përndryshe incidentet në Mitrovicën e Veriut ishin të izoluara”.

Në pjesën Veriore aktualisht janë të angazhuar 240 policë. Nëse ka nevojë, Besim Hoti thotë se numri i tyre mund të rritet.

“Mund të ndodhë që të ftohen edhe forca shtesë, nëse e kërkon situata”.

Sikurse këtë të diele, kur u zhvilluar procesi zgjedhor për herë të parë në këtë pjesë të Kosovës, edhe më 17 Nëntor kur do të ketë rivotim në tri vendvotime në veri, Policia e Kosovës do ta ketë rolin kryesor, si intervenuese e parë. Pastaj, EULEX’i rolin e intervenuesit të dytë ndërsa KFOR’i do të jetë atje si opsion i tretë nëse kërkohet intervenimi i tij.