McCain: Rusët janë të papranueshëm në Ballkan, të forcojmë NATO-n në këtë pjesë

Senatori me ndikim i SHBA-së, John McCain, ka thënë në Podgoricë se sjellja e Rusisë në rajon është e papranueshme.

Bota

12/04/2017 16:25

Ai tha se për këtë arsye më shumë se kurrë është e nevojshme që të forcojmë solidaritetin dhe stabilitetin në kuadër të NATO-s, raporton agjensia Beta.

Pas bisedimeve me zyrtarët malazezë, McCain u tha gazetarëve se është e papranueshme ndërhyrja në procesin demokratik në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.

McCain, që është Kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit amerikan, tha se ai ka përgëzuar qytetarët e Malit të Zi dhe udhëheqësit e tyre në zgjedhjen për t’u bërë pjesë e NATO-s.

“Kur ju shikoni situatën aktuale në botë, fuqia e stabilitetit, siç është NATO, është shumë më e rëndësishme tani se kurrë më parë në 70 vitet e egzistencës së Aleancës, sepse unë besoj se është sjellja e Rusisë në rajon dhe në botë që është e papranueshme në këto kohë dhe se sjellja e tillë e Rusisë kërkon solidaritet dhe forcë për të ruajtur parimet dhe bazat e demokracisë”, tha McCain.

McCain ka qëndruar në Podgoricë ku ka zhvilluar bisedime me presidentin Filip Vujanoviq dhe ministrin e Mbrojtjes, Predrag Boshkoviq.

McCain, një mbështetës i fortë i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe një nga “skifterët” e politikës amerikane, erdhi në Podgoricë kur Parlamenti i Malit të Zi duhet të ratifikojë dokumentin për anëtarësimin në NATO, po edhe derisa priten aktakuzat kundër të dyshuarve për tentim terrorizmi në ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi, me qëllim që të pengohet hyrja e këtij vendit në NATO.