McCain poston në Twitter vizitat që i zhvilloi në Kosovë (VIDEO)

16:30 | 15 Prill 2017

Senatori amerikan, John McCain, së fundmi ka realizuar edhe një vizitë në Kosovë. Me sa duket i kënaqur nga kjo vizitë, ai ka vendosur që rreth kësaj të bëjë edhe një “postim special” në Twitter.

Në një video të publikuar në Twitter, ai ka veçuar nderimin që i është bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e nderuar senatorin me çmimin “Urdhri i Lirisë”.

“Gjatë kësaj jave, isha i nderuar të pranoj çmimin ‘Urdhri i Lirisë’ nga presidenti Hashim Thaçi”, ka shkruar ai në Twitter.

Ky çmim, siç ishte thënë senatorit McCain i ishte ndarë për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, që për Kosovën konsiderohet “aleat i përjetshëm”.

Gjatë vizitës së tij, senatori McCain, përveç takimeve me liderët vendorë, ka mbajtur edhe një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Senatori republikan kishte nisur nga 7 prilli një turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ky, ku Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin politik dhe ekonomik.