MCC zhbllokon fondet për Kosovën pas heqjes së reciprocitetit

Milenium Challenge Corporation (MCC) ka aktivizuar përsëri programin e saj në Kosovë.

Lajme

06/06/2020 18:44

Në një komunikatë për media lëshuar nga MCC, bëhet e ditur se vendimi është marrë pas heqjes së masave të reciprocitetit nga qeveria Hoti, shkruan lajmi.net.

Aty thuhet se MCC mirëpret vendimin e qeverisë për taksën dhe masën e reciprocitetit ndaj mallrave serbe.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin zgjidhjen e çështjeve të tarifave dhe heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe. MCC do të rinisë zbatimin e programeve në Kosovë. Mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit me popullin dhe Qeverinë e Kosovës, në punën tonë të përbashkët për të zbutur varfërinë përmes rritjes ekonomike”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë, se MCC kishte bllokuar investimet e saja në Kosovë pas refuzimit të qeverisë së Kosovës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe.

Një vendim i tillë i MCC-së ishte marrë gjatë kohës së qeverisjes Kurti. /Lajmi.net/