Mbyllet për media MPJ, Hoxhaj rehaton njerëzit e vet

Qysh prej shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, dikasteret qeveritare pothuajse janë mbyllur totalisht për media, me ç’rast nuk mund të marrësh asnjë informacion nga zyrtarët e saj.

Lajme

08/07/2014 19:51

Ministria e Punëve të Jashtme është njëra nga dikasteret që është mbyllur totalisht, duke mos folur askush për media kur ato interesohen për ndonjë çështje.

KosovaPress, ka tentuar disa herë të marrë ndonjë zyrtar të kësaj ministrie në prononcim për tema të ndryshme, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur, pasi askush nuk ka folur në emër të këtij institucioni.

Përveç kësaj, ministri Enver Hoxhaj është përkujdesur që njerëzit rreth tij t’i rehatojë në ambasadat e Kosovës nëpër botë.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, ish këshilltari për media, Artan Behrami është dërguar në Ambasadën e Kosovës në NewYork, si konsull.

Po ashtu, këto burime thonë se ushtruesja e detyrës së sekretares së kësaj ministrie, Mirjeta Behluli është akomoduar në njërën nga ambasadat e Kosovës në botë.

Por, e kontaktuar nga KosovaPress, Behluli nuk ka treguar se ku është akomoduar e as që është zëvendësuar me ish-ambasadorin e Kosovës në Itali, AlbertPrenkaj, i cili është emëruar Ushtrues i Detyrës së Sekretarit të Përhershëm në MPJ.

(Kosovapress)