Mbyllet me replika seanca dëgjimore, pa e ditur se i kujt është mandati i deputetit! (Video)
E plotësuar: Në replikat pas dëgjimit të argumenteve nga të dyja palët, përfaqësuesi i PDK-së në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese, Arsim Bajrami ka thënë se blloku opozitar ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit në seancën e parë konstituive të 17 korrikut, dhe akuzuar përfaqësuesit e bllokut, Vjosa Osmanin dhe Ardian Gjinin, për shtrembërim të fakteve dhe “thirrje hipokrite”. Ndërsa këta dy të fundit kanë insistuar se argumentet e tyre janë të drejta, dhe se pyetjet e PDK-së dërguar në kushtetuese janë të thjeshta, dhe se nuk kanë nevojë për interpretim të gjykatës.

Lajme
“Thirrja në popull e Vjosa Osmanit ishte thirrje hipokrite”, ka thënë Bajrami, duke iu referuar deklaratës së Osmanit se “vullneti i popullit ishte shprehur edhe ne seancën konstituive”.
Bajrami ka thënë se themelimi i grupeve parlamentare bëhet në fund të seancës konstituive dhe jo përpara saj, dhe se assesi nuk mund të futet në rend dite nga Kryesia e kaluar.
Ai ka thënë se mandati i deputetëve është i partive politike deri në dhënien e betimit.
“PDK ka dalë partia filtruese me 37 mandate. Ne nuk kemi mandat imperativ. Revokimi është antikushtetues. Secili deputet pas dhënies së betimit ka të drejtë për ta ndërruar apo bashkuar me grupe tjera”, ka thënë Bajrami.
“Themelimi i grupit më ta madh parlamentar bëhet pas seancës konstituive”, ka përsëritur ai.
Ndërkaq Vjosa Osmani ka thënë se neni 2 paragrafi 1 i Kushtetutës së Kosovës, qartë thotë se sovraniteti buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur të këtij populli.
“Këtë e bënë deputetët e Kuvendit të Kosovës ku me 17 korrik me pjesëmarrje të 2/3 të deputetëve zgjodhën Kryetarin e Kuvendit. Ajo çka po dëgjojmë sot nga parashtruesit e kërkesës janë vetëm supozime kushtetuese”, tha ajo.
Osmani, në replikën e saj, tha se çështja e rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës nuk është çështje Kushtetuese.
Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Ardin Gjini, duke replikuar me përfaqësuesin e PDK-së në seancën dëgjimore, ka thënë se neneve që i është referuar Arsim Barjami nuk ka të bëjë me ulëset, por me mandatet e deputetëve.
Gjini ka thënë se edhe pyetja e PDK-së se cili është grupi më i madh parlamentar është e thjeshtë dhe përcaktohet nga numri.
“Grupi më i madh është ai grup që ka një deputet më shumë”, ka thënë Gjini duke theksuar se është në kundërshtim me logjikën parlamentare dhe kushtetuese që mandati i deputetëve është i partisë.
Seanca u mbyll nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani me paralajmërimin se së shpejti do të merret vendim në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, në seancën e parë konstituive më 17 korrik.
————————————————-
Bajrami dhe Osmani ende nuk i kanë shterur “argumentet pro et contra”, seanca po vazhdon
E plotësuar: Arsim Bajrami, i cili po përfaqëson PDK-në në seancën dëgjimore të Gjykatën Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, ka thënë se marrëveshja e arritur mes partisë së Isa Mustafës, asaj të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, është antikushtetuese. Nga na tjetër, përfaqësuesja e bllokut LDK-AAK-NISMA, Vjosa Osmani tha se kërkesa e PDK-së nuk ka të bëjë me kushtetutshmëri dhe se deputeti është i lirë dhe ka të drejtë të vendos se cilit grup parlamentar duhet t’i takoj.
Ai tha se kjo konteston tri nene të Gjykatës Kushtetuese, duke filluar nga shkeljet që kanë ndodhur gjatë seancës së parë konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit.
“Ne vlerësojmë se procesi i themelimit është ushtruar më shumë shkelje kushtetuese të rregullores së punës së Kuvendit të praktikave parlamentare nga viti 2001”, ka thënë Bajrami në fjalën e tij në seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, të thirrur me kërkesën e Partia Demokratike e Kosovës, e në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në seancën e parë konstituive më 17 korrik.
“Të gjitha praktikat parlamentare janë shkelur. Vlerësojmë se në procedurën paraprake janë bërë dy shkelje të Kushtetutës, është bërë shkelja e nenit 67.7 e Kushtetutës dhe neni 64.1 e Kushtetues. Gjithashtu ne e kontestojmë vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nga grupet më të vogla paralmentare”, ka thënë ndër të tjera Bajrami.
“E përsëris, në seancën përgatitor ka pas tri shkeljet të Kushtetutës dhe të rregullores së punës. E para, në mbledhjen e Kryesisë së legjislacionit të kaluar në mbledhjen me kryetar të partive është përcaktuar një rend dite i seancës konstituive, i cili ka qenë një rend dite jolegal dhe jokushtetues, sepse Kryesia e kaluar ka shkelur nenin 67.7, duke e futur në rend dite edhe njoftimin për themelimin e grupeve parlamentare që nuk është në kompetencën të Kryetarit të legjislacionit të kaluar”.
“Në këtë mbledhje përgatitore po ashtu është shkelur neni 64. 1 e Kushtetutës së Kosovës sepse ky nen thotë se vendet në Kuvendin e Kosovës ndahen midis partive politike, koalicioneve, listave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, në përpjesëtim me numrin e votave të fituar në zgjedhjeje. Kryesia i ka nda ndryshe”, tha Bajrami.
Nga na tjetër, përfaqësuesja e bllokut LDK-AAK-NISMA, Vjosa Osmani tha se kërkesa e PDK-së nuk ka të bëjë me kushtetuetshmëri.
“Kërkesa e PDK-së është e papranueshme nuk është në përputhje me Kushtetutën. Gjykata kishte refuzuar të trajtojë çështje që janë të parapara me rregulloren e Kuvendit, dhe kjo çështje bie jashtë juridiksionit të Kushtetueses.
Ajo ka thënë se blloku kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të mos e trajtojë këtë çështje.
Osmani ka thënë se askund në Kushtetutë nuk thotë që deputetët nuk mund të ushtrojnë funksionin kur fitojnë mandatin, dhe se sipas saj, nuk thuhet askund në Kushtetutë që ky mandat nuk mund të ushtrohet që nga momenti i certifikimit.
Sipas saj, deputeti është i lirë dhe ka të drejtë të vendos se cilit grup parlamentar duhet t’i takoj.
“Mandati i deputetit sipas Gjykatës kushtetuese është i pacenueshëm”, ka thënë ajo.
Edhe Albulena Haxhiu përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosje në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se kërkesa e PDK-së, është e pabazuar.
Haxhiu ka thënë se te dy dispozitat Kushtetutës dëshmojnë të kundërtën e parashtruesit të kërkesës dhe tregojë se kërkesa është e pabazuar.
Sipas saj, Gjykata Kushtetuese mund ta bëjë vetëm konstatimin se a është bërë propozimi nga grupi më i madh parlamentar, gjë të cilën mund ta vërtetojë te regjistrimi i deputetëve.
Haxhiu ka thënë se detyrimi i Kryesisë së mëparshme është rendi i ditës për seancë solemne dhe nuk është çështje e gjykatës për shkak se ajo është e drejtë e Kuvendit të Kosovës.
“ E ftojë këtë gjykatë ta ndërpres masën e përkohshme lidhur me pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe kërkesën e deputetëve të PDK-së ta konsiderojë të papranueshme”.
Seanca po vazhdon…
—————————————–
Nis seanca dëgjimore në Kushtetuese
E plotësuar: Ka nisur seanca dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese e thirrur me kërkesën e Partia Demokratike e Kosovës në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, në seancën e parë konstituive më 17 korrik.
Në këtë takim parashtruesi i kësaj lënde, PDK, po përfaqësohet nga Arsim Bajrami, kurse në emër të bllokut opozitar LDK-AAK- Nisma, do të flas Vjosa Osmani.
Vetëvendosje, si përkrahëse e “bllokut opozitar” po përfaqësohet nga Albulna Haxhiu.
—————————————–
Sot, seanca dëgjimore në Kushtetuese
Sot mbahet seanca dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese e thirrur me kërkesën e Partia Demokratike e Kosovës në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, në seancën e parë konstituive më 17 korrik.
Partia Demokratike e Kosovës nga një anë dhe blloku opozitar i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të përkrahur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, do të ballafaqojnë argumentet dhe kundërargumentet e tyre në gjykatë.
Pas hapjes së seancës pritet t’i jepet fjala përfaqësuesit të kërkesës së koalicionit parazgjedhor që e prezanton çështjen, pra PDK-së, e më pastaj i jepet fjala ‘bllokut opozitar’, për të vazhduar me diskutimin e hapur, ku do të ketë pyetje nga të dyja palët dhe mblidhen provat që më pas u shërbejnë gjyqtarëve për të marrë vendimin përmes votës së fshehtë.
PDK, si përfaqësues të sajin në këtë përballje ka caktuar deputeti, Arsim Bajrami, ndërsa blloku LDK-AAK-Nisma do të përfaqësohet nga deputetja Vjosa Osmani.
Bazuar në kërkesën e PDK-së, Gjykata Kushtetuese kishte pezulluar postin e kryetarit të Kuvendit, që mbante lideri i LDK-së, Isa Mustafa, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
PDK konsideron se si fituese e zgjedhjeve parlamentare vetëm ajo mund të ketë kryetarin e Kuvendit, kurse blloku LDK, AAK dhe Nisma konsiderojnë se votimi i Mustafës ishte konform proceduarave, dhe se u takon edhe atyre pozita e kryetarit, si ‘grupi më i madh parlamentar”.