Mbyllen edhe katër bastore në Ferizaj

Inspektorati i Komunës së Ferizajt, asistuar edhe nga Policia e Kosovës, gjatë një aksioni të realizuar në dy ditët e fundit ka  mbyllur katër bastore të cilat po operonin ilegalisht në kundërshtim me vendimin e nivelit qendror për ndalimin e lojërave të fatit si dhe ligjit për këtë çështje.

Lajme

12/07/2019 12:06

Bëhet e ditur se Inspektorët e tregut pas verifikimit tërësor për zbatimin e rregullativës ligjore në fuqi, konkluduan me mbylljen e këtyre lokaleve të cilat operonin në shkelje të plotë, krejtësisht fshehtas dhe kamufluar.

Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit të Komunës tha se tashmë është mjaft i përhapur fenomeni i kamuflimit, maskimit të lokaleve ku operojnë biznese të tilla, porse të cilat janë vazhdimisht nën vëzhgimin e Inspektoratit të Komunës dhe Policisë së Kosovës, për të cilën u shpreh falënderues për bashkëpunimin e ngushtë në vijimësi.