Mbrojtja e të akuzuarve mund të paraqesë mocion ndaj Gjykatës Speciale

Mbrojtja e të akuzuarve në Gjykatën Speciale, ka të drejtën e paraqitjes së mocioneve ndaj Gjykatës. Njohësit e procesit gjyqësor thonë se në rast të procedimit të këtyre mocioneve, Prokuroria ka 21 ditë që t’i përgjigjet kërkesës, e më pas Gjykata të merr vendim.

Lajme

29/09/2020 20:02

Mbrojtja e të akuzuarve në Gjykatën Speciale, 30 ditë pasi t’i marrin provat për aktakuzat, kanë të drejtën e paraqitjes së mocioneve ndaj Dhomave të Specializuara.

Avokati i licencuar nga kjo Gjykatë, Taulant Hodaj tregon për llojet e mocioneve paraprake.

“Mbrojtja, 30 ditë pasi t’i pranojë provat së bashku me aktakuzën, ka të drejtë të kundërshtojë aktakuzën, të kundërshtojë juridiksionin e Gjykatës Speciale në përgjithësi dhe të kërkojë që aktakuza të përmirësohet, plotësohet apo ndryshohet”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Taulant Hodaj.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tregon se kur mund të ngritën këto mocione.

“Avokatët mbrojtës kanë të drejtë të kontestojnë këtë në Gjykatën Kushtetuese në degën në Hagë kryesisht nëse hetimet apo aktakuzat e ngritura hyjnë në kuadër të asaj që përcakton raporti i Dick Marty-t apo jo. Nëse kjo konstatohet nga Gjykata Kushtetuese se ajo del jashtë juridiksionit të raportit të Dick Marty-t, atëherë mund të konsiderojmë se kjo gjykatë nuk ka legjitimitet”, deklaroi Ehat Miftaraj.

E në rast të paraqitjes së këtyre mocioneve, atëherë Gjykata ka 21 ditë që t’i përgjigjet kërkesës.

“Vlen të përmendet se edhe nëse vendos i njëjti gjyqtar i procedurës paraprake për aprovim apo jo të këtyre mocioneve të mbrojtës, ti ke të drejt të shkosh në apel, dhe tek pas apelit mund të vazhdojë procesi gjyqësorë”, deklaroi më tej Taulant Hodaj.

Në seancën e parë të Gjykatës Speciale, mbrojtja e të akuzuarit Salih Mustafa nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ngre mocion për ligjshmërinë e Dhomave të Specializuara.