“Mbretërit e rikthimeve”, Inter vendosin rekord historik të klubit

Inter regjistroi një fitore të rëndësishme në udhëtim mbrëmë (e shtunë), ndaj skuadrës së Sassuolos me rezultat 2-1, ndeshje kjo e cila ishte e vlefshme për xhiron e shtatë në Serie A.

Sport

03/10/2021 10:31

Interi ishte në disavantazh pas pjesës së parë me një gol të Domenico Berardit nga pika e penalltisë (22′), sidoqoftë, Inter treguan shpirtin luftarak në pjesën e dytë për të përmbysur rezultatin me dy gola nga Edin Dzeko (58′) dhe Lautaro Martinez (78′).

Në fakt kjo ishte hera e tretë radhazi për skuadrën ‘zikaltër’, që ndodhen në disavantazh pas pjesës së parë.

Duke e evituar humbjen në ndeshjen e tretë radhazi pasi paraprakisht kishin qenë në disavantazh në pjesën e parë në secilën prej tyre, Interi tani e ka arritur këtë gjë për herë të parë në histori të klubit, raporton ‘OptaPaolo’.

Ndaj Fiorentinës, Interi ishte në disavantazh 1-0 pas pjesës së parë, por u rikthye me tri gola në pjesën e dytë duke triumfuar.

Ndeshja e radhës ishte ajo ndaj Atalantës, që ‘zikaltrit’ ishin në disavantazh me rezultat 2-1, por në pjesën e dytë barazuan rezultatin duke e evituar kështu humbjen, gjersa e treta me radhë, ajo e mbrëmshme ndaj Sassuolos erdhi pasi ‘zikaltrit’ ishin në disavantazh prej 1-0, por u rikthyen me dy gola në pjesën e dytë, për ta fituar takimin. /Lajmi.net