Mblidhet koalicioni kundër IS-it, Kosova përfaqësohet me Enver Hoxhajn

Të mërkurën në Bruksel do të mblidhet koalicioni kundër grupit IS, i udhëhequr nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Lajme

01/12/2014 22:13

Në këtë Kosova do të përfaqësohet nga ministri i jashtëm në detyrë, Enver Hoxhaj.

Gazeta Express ka siguruar edhe letrën e Kerryt dërguar ministrit kosovar për pjesëmarrje në këtë mbledhje.

Në letër përmendet 10 shtatori, si datë kur presidenti Obama bëri publik planin amerikan kundër IS-it dhe ndihmën për qeverinë irakiane dhe opozitën siriane në luftën kundër IS.

“Më 10 shtator, presidenti Obama publikoi edhe strategjinë e SHBA-ve në mbështetje të qeverisë së Irakut dhe për të moderuar opozitën siriane, në mënyrë që kjo të jetë një ndihmë për luftimin e Shtetit Islamik (IS)”, thuhet në letrën e siguruar nga Express.

Më tutje përmendet edhe 3 nëntori, kur u mbajt mbledhja në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Ndërkaq, 3 dhjetori është data ku ftohet ministri për të marrë pjesë në Bruksel.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbajnë një mbledhje me anëtarët e koalicionit të mërkurën, më 3 dhjetor, duke filluar nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 12, në sallën e NATO-s në Bruksel, Belgjikë, në margjinat e mbledhjes së ministrave të jashtëm të NATO-s. Ju ftoj në takim dhe ftoj ministrat e jashtëm të qeverive tuaja të marrin pjesë në takim”, thuhet veç tjerash në letër.