Mbi 800 punëtorë në Viti mbesin pa rroga, nënkryetari thonë se është vendim me motive politike nga Ministria e Financave

Ministria e Financave gjatë ditës së djeshme njoftoi se Komuna e Vitisë nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm, andaj si “pasojë” punëtorët arsimit fillor dhe të mesëm privohen nga paga e muajit shtator. Sipas ministrisë, përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa…

Lajme

02/10/2024 14:11

Ministria e Financave gjatë ditës së djeshme njoftoi se Komuna e Vitisë nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm, andaj si “pasojë” punëtorët arsimit fillor dhe të mesëm privohen nga paga e muajit shtator.

Sipas ministrisë, përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani.

“Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës. Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit. Me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në lidhje me situatën e krijuar, lajmi.net ka kontaktuar me nënkryetarin e Komunës së Vitisë Hasan Aliu, i cili ka treguar që 800 punëtorë arsimor akoma nuk i kanë marrë pagat e muajit shtator dhe mosekzekutimi i tyre sipas zyrtarit komunal “dyshohet” të jenë me motive politike.

Aliu tha se shkas i krejt kësaj situate është një mosmarrëveshje e ndodhur në mes Ministrisë së Financave dhe Komunës së Vitisë, e që ka të bëjë në lidhje me kontratat kolektive.

“Burim i krejt kësaj ka ndodh mos kontrata kolektive, nënshkrimi i kontratës kolektive është nga niveli qendror, prandaj Komuna e Vitisë deri më tash është dëmtuar me 5 milionë e 590 mijë euro. Andaj ata kanë marrë para te kodi që ligjërisht nuk kanë pas të drejtë, tek kodi i pagave. Kodi i pagave me mëditje merret vetëm kur ka suficit, që nënkupton se Komuna e Vitisë nuk ka pas suficit por ka pas para të mjaftueshme, ata kanë marrë nga ky kod dhe nuk e kanë bërë ekzekutimin prej mungesë 167 mije euro”,thotë Aliu.

Tutje ai tha se Qeveria e Kosovës ka shkelur ligjin e Kosovës për mosekzekutimin e pagave dhe se duhet që së shpejti të merret një vendim për rimbursimin e tyre, në mënyrë që të mos dëmtohen punëtorët arsimor.

“Unë e konsideroj se është obligim i qeverisë që së shpejti me marrë një vendim që ta bëjë rimbursimin e kësaj në mënyrë që të mos dëmtohen as punëtorë arsimor që nuk janë fajtor po në këtë rast as Komuna e Vitisë e cila menaxhon me ta. Ka marrë pjesë në trajnime të cilat i kemi pas vazhdimisht edhe kur kemi pyet  që të bëjmë kode buxhetore, që të ndajmë edhe buxhet për implementim të kontratës kolektive, pikërisht nga zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave kanë thënë se nuk keni të drejtë, prandaj unë e konsideroj se padrejtësisht kjo çështje dhe këtë padrejtësi munden ta korrigjojnë vetëm ata që e kanë bërë që kanë shkel mbi ligjin mbi ligjin e Kosovës dhe ata kanë një adresë që është Qeveria e Kosovës”,shtoi ai.

Gjithashtu ai tha se punëtorët arsimor janë të zhgënjyer për këtë padrejtësi që po iu bëhet.

“Kanë pas një pakënaqësi, ata thjesht janë punëtorë të thjeshtë nuk janë profesionistë nuk i din ligjet e Ministrisë Financave dhe Ligjin e Pagave dhe janë të zhgënjyer. Kanë të drejtë se këto gjëra nuk janë sqaru në kohë e kanë prit me një zhgënjim të thellë se ku ka më keq 1 muaj ditë me punu dhe në fund mos me marrë pagën që i takon”. theksoi Aliu.

Në ndërkohë i pyetur nga lajmi.net se a kanë pasur ndonjë kontakt me Ministrinë e Financave në lidhje me këtë çështje, nënkryetari Aliu tha se kanë qenë në dijeni për këto mosmarrëveshje por ka qenë e pamundur që të rregullohen brenda një afati të shkurtë kohor.

“Nuk kemi pas bisedë në përjashtim që të hënën e kanë thirr Kryetarin e Komunës ku kanë kërku brenda 10 minutave me rregullu këtë çështje, nuk ka pas shans me rregullu për shkak që nuk mundet Kryetari i Komunës me marrë vendim për 170 mijë euro me vendos se ligji e din kryetari e ka diku 500 mije euro ku nuk  mundet me marrë vendime, e gjithashtu ndërrimi i kodeve prej një kod ashtu siç është aprovu në Kuvend duhet me aprovu në kuvend komunal”, deklaroi ai.

Aliu tha se janë në pritje dhe se në bazë të informatave që kanë pagat mund të dalin sot gjatë ditës apo ditëve në vijim.

E në reagimin e mbrëmshëm nga Ministria e drejtuar nga Hekuran Murati u tha se zyrtarët e Komunës së Vitisë nuk kanë reflektuar, gjë që nënkupton se kur është bërë ekzekutimi i pagave sot, sistemi me automatizëm i ka refuzuar ekzekutimet për programet që nuk kanë buxhet të mjaftueshëm.

“Pra, për zyrën e kryetarit, administratën dhe programet tjera sistemi ka bërë ekzekutimin e pagesave, por jo edhe për programet e arsimit fillor e të mesëm, sepse komuna nuk është siguruar që në këto dy programe ka buxhet të mjaftueshëm. Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e të punësuarve dhe nevojën për të pranuar pagën e tyre, MFPT është e gatshme që kurdo që Komuna e Vitisë bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, të bëjmë një ri-ekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe”, u shtua tutje.

Një shqetësim i thellë dje pati kapluar të gjithë shërbyesit civil në Kosovë, kjo për shkak të mos ekzekutimit të pagave për të gjithë ata.

Madje edhe pse dje pagat janë ekzekutuar nuk dihet se si është bërë kjo, për shkak se drejtori i Thesarit ishte me ushtrues detyre, të cilit po ashtu i ka kaluar kontrata. Kësisoj nga Qeveria nuk pati deklaratë se si u morë vendimi për ekzekutimin e pagave në këtë rast./Lajmi.net/