Mbi 6 mijë personave u refuzohet statusi i veteranit

15:14 | 27 Nentor 2014

Veteranet e UÇK-së, Foto Ilustruese

Në fund të vitit do të bëhet publike lista e personave të cilëve do tu njihet statusi i veteranëve të luftës, invalidëve, dëshmorëve dhe pjesëmarrës në luftë, ka bërë të ditur Agim Çeku. Ai tha se deri  më tani janë verifikuar rreth 75 për qind e aplikacioneve, kurse kërkesa u është refuzuar mbi 6 mijë aplikantëve.

Rreth 75 për qind e aplikacioneve që janë dorëzuar në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorëve të Kombit, të Invalidëve, Veteranëve, Ushtarëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë verifikuar deri më tani, ka bërë të ditur kryetari i këtij komisioni Agim Çeku. 

Ai tha se nga 66 mijë e 339 aplikacione që ka pranuar komisioni, janë verifikuar 49 mijë e 307 aplikacione, apo rreth 75 për qind e tyre, ndërsa janë refuzuar mbi 6 mijë aplikacione.

Çeku bëri të ditur në mbledhjen e Qeverisë të enjten, se në fund të vitit do të bëhet publike lista e atyre që do të jenë përfitues.

“Nga aplikacionet e verifikuara, del që 17 mijë e 596 janë veteranë të luftës, 2 mijë e 869 janë invalidë, të plagosur apo të lënduar në luftë; 1 mijë e 536 janë dëshmorë, 6 mijë e 195 pjesëtarë të UÇK-së, 13 mijë e 22 pjesëmarrës në luftë, për rishqyrtim janë 1 mijë e 235 kurse janë refuzuar deri më tani 6 mijë e 754 aplikacione si të pabaza”.

“Ne mendojmë që nga fundi i vitit do të publikohen listat me të gjithë emrat e përfituesve. Atëherë afati do të jetë një muaj ditë që edhe aplikantët të ankohen në qoftë se mendojnë se nuk iu është dhënë statusi për të cilin kanë aplikuar, por mund të aplikojnë edhe qytetarët nëse e shohin në lista se dikujt i është njohur statusi, por kanë dëshmi për të kundërtën”.

“Ne si komision do të shqyrtojmë çdo ankesë”, ka bërë të ditur ministri Çeku.

Ai bërë të ditur se familjet e dëshmorëve marrin nga 448.6 euro dhe më e larta 758 euro në muaj; kurse invalidët përfitojnë nga buxheti duke nisur nga 225 euro deri më 448.13 euro në muaj.