“Mbi 50 milionë euro janë veç për armatim”, reagojnë nga Qeveria pasi u akuzuan për mungesë të investimeve kapitale

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar pas pretendimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila përgjatë një konference deklaroi se në Ministrinë e Mbrojtjes janë investuar vetëm 5 për qind të buxhetit në investime kapitale. Mehaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se përbrenda periudhës së qeverisjes së derimëtanishme janë…

Lajme

13/08/2022 18:57

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar pas pretendimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila përgjatë një konference deklaroi se në Ministrinë e Mbrojtjes janë investuar vetëm 5 për qind të buxhetit në investime kapitale.

Mehaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se përbrenda periudhës së qeverisjes së derimëtanishme janë ndarë mbi 50 milionë euro për armatim.

“Brenda periudhës së qeverisjes së deritanishme janë zotuar mbi 50 milionë euro blerje të armatimit. Kaq buxhet për kaq ditë qeverisëse, nuk ka ndarë asnjë qeveri më herët”, ka shkruar ndër të tjera ai në ‘Facebook’.

“Këtë vit, deri më tani kemi zotuar 28.6% të buxhetit për blerje. Kjo përqindje do të dyfishohet brenda javëve të ardhshme, kur do të përmbyllen blerjet që janë në proces”, vijon më tej Mehaj.

Deklaratat e tij vijnë pas reagimit të LDK-së për mungesë të investimeve kapitale nëpër ministritë e Qeverisë Kurti. Sipas këtij subjekti politik, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se po e lënë ushtrinë pa armatim, pasi që ka investuar vetëm 5 për qind në investime kapitale.

“Është kontradiktore dhe e çuditshme se si kryeministri një javë më parë përmendte luftën, ndërsa investon vetëm 5% të buxhetit për investime kapitale në Ushtrinë e Kosovës. Do të thotë nga 53,936,000 euro për investime kapitale, Ministria e Mbrojtjes ka ekzekutuar vetëm 2.820.457 euro, duke e lënë kështu Ushtrinë e Kosovës pa armatim, pa pajisje dhe pa sisteme të mbrojtjes”, thuhet në postimin e LDK-së.

Sipas Raportit Financiar të Thesarit të Republikës së Kosovës, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, investimet kapitale kanë qenë vetëm 9% apo më të ulëtat në dhjetë vitet e fundit. /Lajmi.net/