Mbi 300 specializantë dy muaj pa rroga, disa e mendojnë edhe ikjen nga Kosova

Nuk janë vetëm personat e papunë që po braktisin Kosovën. Në autobusët që të çojnë në Suboticë, e më pas në Hungari, e në vendet evropiane, po ikin edhe specializantë të fushave të ndryshme të mjekësisë.

Lajme

27/01/2015 08:29

Ka dy muaj që në konton e tij nuk ka dalë asnjë cent, ndonëse bën specializim në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare.

I riu nga Kosova ka mbaruar gjashtë vjet në Fakultetin e Mjekësisë dhe tash po ndjek specializimin. Krahas kësaj po e mëson edhe gjermanishten, gjuhë e cila pret që t’i sjellë fat në jetë, shkruan Zëri.

Ai tregon se pasi që të mbarojë nivelin e kursit C-1m di ta braktisë Kosovën, pasi kushtet e punës dhe trajtimi i kuadrove mjekësorë në Kosovë, thotë se nuk janë as në nivelin minimal çfarë e meritojnë mjekët.

“Ka dy muja që jemi pa paga. A bëhet që unë si mjek në specializim të kërkoj para prej prindërve për të dalë për një kafe apo për t’u siguruar kafshatën e gojës fëmijëve”, thotë ky mjek.

Drejtori i klinikës së Mjekimit Intensiv dhe Anestezionit në QKUK, Nehat Baftiu thotë se vitin e kaluar, kanë ikur pesë specializant nga Kosova.

“Janë pesë specializantë të anestezionit që kanë braktisur vendin vetëm vitin e kaluar”.

“Unë e kam djalin në specializim. Është e rëndë që ai ndonëse ndjek specializimin, unë duhet të kujdesem financiarisht për të, pasi ka ngecje në pagesa për shkaqe procedurale”, thotë ai,

Ndërkaq, Arbër Bardhaj, një specializant në po këtë klinikë, konfirmon sitatën e rënd të mospagesave.

“Jemi 315 specializantë që jemi tash e dy muaj pa pagesa, as të specializimit as të kujdestarive”, thotë Bardhaj,shkruan sot Zëri.