Mbi 30 milionë humbje vetëm në gastronomi, Kosova po vonohet në hapjen e ekonomisë

Pandemia në Kosovë ka dëmtuar ekonominë në masë të lartë. Sektori privat e ka pësuar më së shumti nga kjo situatë, derisa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatat Biznesore kanë kërkuar hapje sa më të shpejtë të ekonomisë.

Lajme

28/05/2020 22:19

Dje, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për hapje të objekteve fetare dhe heqje të kufizimit të Lëvizjes, shefi i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka kërkuar që ekonomia të të hapet më së largti më 28 maj, shkruan lajmi.net.

Përveç këtij sektori i cili aktualisht është i hapur për opsionin “merr-me-vete”, edhe shumë sektore të tjera janë dëmtuar si ai i transportit, ndërtimtarisë dhe shumë e shumë aktivitete të tjera.

Lidhur me këtë, shefi i OEK nëpërmjet një postimi në Facebook dje ka shkruar se është koha të hapen të gjitha bizneset pasi situata me pandeminë ka rënduar situatën e bizneseve.

“Është koha për hapje të të gjitha bizneseve, jo më larg se data 29 maj 2020. Situata me pandeminë, numri i menaxhueshëm i rasteve të infektuara, numri i vogël i rasteve në kujdes intenziv, janë argument i mjaftueshëm për hapjen e të gjitha bizneseve, sigurisht përcjellur me masa mbrojtëse dhe distancën sociale adekuate. Të hapim ekonominë dhe të fokusohemi në rimëkëmben ekonomike”, ka shkruar Rukiqi.

E nga Shoqata e Gastronomëve që është një nga sektoret më të dëmtuara nga pandemia për lajmi.net thonë se ende nuk dinë se si do të ndodh hapja e bizneseve dhe për këtë thonë se iu duhet një vit të kthehen në pikën ku kanë qenë para pandemisë.

“Së pari, ne ende nuk e dimë kur do të hapet dhe çfarë masa do të jenë, a do të lëshohen në total tavolinat, orari cili do të jetë sepse nuk jemi informuar nga qeveria ende, nuk e dimë as për orarin se cili do të jetë, humbjet janë të mëdha. Ne planifikojmë tek vitin e ardhshëm të kthehemi në gjendjen siç kemi qenë.”, thonë nga kjo shoqatë për lajmi.net.

Gjithashtu, ata shprehen se humbjet totale të këtij sektori gjatë situatës së pandemisë llogaritet të jenë mbi 30 milionë euro.

“Në vitin 2019, statistikat për sektorin e Gastronomisë, hotele, restorante dhe kafiteri, ka qenë që kanë dalur qarkullimi total rreth 184 milionë euro. Tash i bie për 2 muaj rreth 30 milionë kanë qenë humbjet”, thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Gastronomëve.

Lidhur me këtë, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu dje në një prononcim për lajmi.net është shprehur se Kosovës do t’i duhet një vit më shumë sesa vendeve të rajonit për t’u këndellur nga situata që do të lë mbrapa koronavirusi.

“Dhe nëse mendojmë t’i sanojmë pasojat nga koronavirusi, hapja e ekonomisë të ndodh sa më shpejt si vendet e rajonit, duhet të depolitizohet koronavirusi dhe të rihapet ekonomia. Ne ende nuk jemi në fazën e fundit dhe nuk kemi strategji dalëse e as pako stimuluese për mbështetje të sektorit privat dhe do të jetë shumë sfiduese, nëse vazhdon me këtë neglizhencë përballë pasojat kundër koronavirusit, nëse vendeve të rajonit iu duhet fundi i vitit 2021 atëherë Kosovës do t’i duhet edhe një vit më tepër.”, tha Gërxhaliu.

Sipas ekspertëve, pas pandemisë shëndetësore, Kosova do të goditet nga një pandemi ekonomike dhe sociale e cila kërkon angazhim të të gjitha aparateve shtetërore.

Kosova në syrin e ekspertëve shihet se është vonuar me implementimin e hapave të rimëkëmbjes ekonomike dhe me hartimin e aplikimin e Pakos së Rimëkëmbjes, derisa ende nuk ka përfunduar implementimi i Pakos Emergjente.

Mbetet të shihet se çfarë do të ndodh në fazën e tretë të lehtësimit të masave parandaluese ndaj koronavirusit e cila fillon më 1 qershor – pasi bizneset nuk u hapën as gjatë shqyrtimit të fazës së dytë.

Ndërkohë, situata epidemiologjike në Kosovë aktualisht vlerësohet të jetë e qetë dhe stabile e cila po shkon duke u lehtësuar me hapa të ngadalshëm e të sigurtë.

Numri i rasteve të përgjithshme në Kosovë është 1052, të shëruar nga ky virus janë 820 ndërsa 30 prej të infektuarve kanë përfunduar në vdekje për shkak se ishin duke vuajtur edhe nga sëmundje të tjera përcjellëse. /Lajmi.net/