Mbi 115 mijë qytetarë kërkojnë drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës (video)

Janë mbledhur mbi 115 mijë nënshkrime për peticionin "Kërkojmë Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë". 

Lajme

31/07/2014 13:32

Peticioni me moton “Kërkojmë Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë”, është nënshkruar nga 115 mijë e 159 qytetar të të gjitha komunave në Kosovë.

Ideatorja e kësaj nisme, Edita Tahiri gjatë një konference për media tha se me këta nënshkrime qytetaret treguan sa shumë ndjejnë dhimbje për ketë tragjedi që i ka ndodhur Kosovës.

Ajo tha se janë në biseda me zyrtarët e OKB-së për ta dërguar peticionin në këtë organizatë.

Tahiri tha se ajo ka dërguar një dokument në BE për dialogun me Serbinë dhe në kuadër të këtij dialogu do të jetë edhe dhunimi i grave.

Ajo tha se i pret një punë e madhe për sensibilizimin e grave të dhunuara. Po ashtu, për këtë peticion janë dhënë edhe mjete financiare nga kompani të ndryshme.

“Ne synojmë që këtë peticion ta dorëzojmë të sekretari Ban Ki Moon, atij drejtohet. Ne kërkojmë një raport zyrtar për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës në raport me gratë dhe në veçanti me dhunimin e tyre si instrument lufte. OKB dhe Ban Ki Moon, kanë bërë raporte globale për vendet ku ka ndodhur lufta, por nuk e kanë bërë për Kosovën dhe Kroacinë. Ne përmes këtij peticioni do ta kërkojmë atë raport”.

Tahiri tha se nga OKB u është thënë se në shtator do mund të takohen me zyrtarë të lartë të OKB-së, ku do t’u dorëzojnë edhe peticionin. Ajo tha se në dokumentin e dorëzuar për fazën vijuese të bisedimeve me Serbinë, është përfshirë edhe çështja e grave të dhunuara.

“Ne jemi në bisedime me zyrtarët e OKB-së, për të parë agjendën e tyre për shkak se sekretari Ban Ki Moon, është shumë i zënë me disa kriza të tjera që po ndodhin në botë, orjentimisht shtatori na është thënë që është koha, kur ata mund të na pranojnë. Ne dëshirojmë ta takojmë Ban Ki Moon dhe zonjën Bangura e cila është përfaqësuese e lartë e OKB-së, për çështjen e grave të dhunuara gjatë luftërave”.

“Ai dokument mbështetët në të drejtën ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve mes shteteve që kanë kaluar luftëra. Në atë dokument kam mbështetur  të gjithë argumentimin në dy koncepte ndërkombëtare: e para janë reparacionet e luftës dhe në kuadër të pikave është edhe dhunimi i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”.

Sipas raportit të prezantuar, peticionin në mbështetje të grave të dhunuara gjatë luftës  brenda pesë ditëve në Prishtinë e kanë nënshkruar 9880 qytetarë, në Mitrovicë 8062, Gjakovë 6079, Prizren 5935, Gjilan 5870, Pejë 4977, Ferizaj 4008. Peticioni është nënshkruar në të gjitha komunat me shumicë shqiptare.

Edita Tahiri si inicuese e këtij projekti. falënderoi të gjithë mbështetësit për përkrahjen e tyre.