Mbetem i Juaji në Besë
Edi Rama, në fjalën e tij para deputetëve, tha se nuk ka ardhur në Kosovë për vazhdimin e retorikës së dashurisë që Shteti Amë ka ndaj Shtetit Bijë. Por, është në Prishtinë për fillimin e një aleance strategjike mes të barabartësh, mes Shqipërisë e Kosovës.

Lajme
Prekës dhe premtues.
Ky ishte fjalimi i Kryeministrit të ri Shqiptar, Edi Rama, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën e veçantë, të mbajtur për nder të tij.
E nisi fjalimin e tij duke cituar Akademik Rexhep Qosjen, për vendosmërinë që kishte shprehur ai në vitin 1999 për të mos udhëtuar drejt Konferencës së Rambujesë në Francë pa Delegacionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të gjithë – ose nuk udhëtojmë. Pa përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk nisemi. A sot, as nesër. Asnjëherë. Kështu mendojnë të gjithë. Vetëm bashkë. Tha Rexhep Qosja, një nga anëtarët e Delegacionit. Pak para se i gjithë delegacioni, bashkë me luftëtarët e lirisë, përfaqësi e miliona zemrave të shqiptare, me plot besim në të drejtën e madhe, qoftë edhe të vonuar, të ndërmerrte në orët e fundit të shekullit të vjetër udhëtimin që ndryshoi përgjithmonë rrugën drejt të sotmes dhe bëri që shekulli i ri i shqiptarëve të lindë me këmishë”.
“Me këmishën e fatit të bashkimit, pas një shekulli të vjetër që na çau në mes dhe na mbajti të ndarë përdhunisht, mes dy vetesh, dy diktaturash, dy rrugësh verbërisht paralele, me të keqen e madhe sa një shekull midis tyre”.
“Me këmishën e një bashkimi fatlum, që tragjedinë e përhershme shqiptare, kufijtë i kthen qysh prej lindjes së këtij shekulli në frymëzimin tonë për të qenë pjesë aktive e rikrijimit të konturave të botës siç e njohim dhe siç e ëndërrojmë njëkohësisht”.
“Me këmishën e bashkimit që tanimë na mundëson ripërkufizimin e hapësirës shqiptare, si hapësira tejkufitare e gjeneratës tjetër, paraardhësit e të cilëve jetuan në dy shtete që prodhonin një pamundësi të madhe. Kurse sot i mban sytë nga ne, që së bashku si shtete të jetësojmë çdo ditë një mundësi të re”.
“Më lejoni t’ua them me zemër të hapur se nuk jam këtu për vazhdimin të rekorikës së dashurisë të shtetit Amë ndaj Shtetit Bijë, por për fillimin e një aleance strategjike themelore e kryesore mes të barabartësh – mes Shqipërisë dhe Kosovës”.
“Jam këtu për t’i kthyer mundësitë e jashtëzakonshme të kohës se re, në sukses dhe zhvillim për qenien tonë të pandarë, në rrugën e bashkuar të Europës. Kjo qenie s’mund të sillet më si e ndarë. As brenda vetës. Jo e jo. Po as me të tjerët përreth, për shkak të disa vijave kufitare. Por duhet të mendojë dhe vrapojë e pakufizuar prej atyre vijave për të çliruar enegji të reja krijuese dhe zhvilluese nga bashkëveprimi”.
“Vij sot para jush me gjithë admirimin tuaj sesi ju u bëtë protagonistët e paqes me fqinjin serb. Vij me respektin e madh çfarë keni ditur të bëni për Kosovën në vetëm 5 vjet shtet, dhe me disponimin më të plotë për të mësuar se rruga jonë është e bashkuar drejt familjes europiane”.
“Kufiri është e djeshmja, e ardhmja nuk ka kufi që e djeshmja të mos e kushtëzojë të ardhmen. Duhet bërë një gjë me vijën e padukshme të mos shihet. Retorikat nacionaliste të së shkuarës mos t’i dëgjojmë. Le të projektojmë të ardhmen. Mezi pres mbledhjen e përbashkët në Prizren dhe miratimin e axhendës së saj për t’i konkretizuar projektet”.
“Nuk do isha i drejtë të mos vlerësoja punën e paraardhësit tim për TAP. Ne do shkojmë dhe më tepër që kjo linjë gazi të ketë një degëzim në Kosovë”.
Rama në fjalimin e tij është ndalur edhe tek marrëdhëniet me fqinjët, duke përmendur Preshevën, por duke sjellë në vëmendje edhe çështjen çame.
“Presheva puç kufirin e tri shteteve. Këtë fakt nuk duhet të anashkalojmë, por ta kthejmë Preshevën në shembullin e pakicave. Pse te mos bëhen të drejtat e pacënuara në Preshevë dhe veriun e Kosovës lajtmotivi i parë i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. E rinënvizoj gatishmërinë e Shqipërisë të çojmë para këtë epokë bashkë me serbët edhe të tjerët”.
Kryeministri Rama tha se Kosova dhe Shqipëria nuk duhet humbur më kohë, por duhet sa më shpejt ta unifikojnë sistemin arsimor.
E mbylli fjalimin e tij plot emocion, me fjalët: “Mbetem i juaji me besë”.