Mbështetje për zejtarët e Prishtinës

Agim Çeku u takua sot me përfaqësues të Shoqatës së Artarëve dhe Argjendarëve. Ai u premtoi atyre se do mbështesë këto zeje me të vetmin qëllim që të ruhet identiteti dhe vlerat të Kosovës.

Lajme

24/10/2013 13:45

Kandidati i PDK’së për kryetar të Prishtinës, Agim Çeku është takuar sot me zejtarët e kryeqytetit për t’i inkurajuar që të mos i lënë anash zanatet me të cilat është identifikuar Prishtina me dekada.

Ai u premtoi zejtarëve se do t’i mbështesë sepse sipas tij “zejtaria është identiteti i këtij vendi”.

“Janë disa gjëra që ne, tash në këtë trendin e globalizmit dhe integrimeve drejt Europës , ndonjëherë po i harrojmë. Jemi popull me vlera të shumta dhe në Europë do të shkojmë me traditat tona, me vlerat tona.  Zejtaria është identiteti i këtij vendi”.

“Unë dëshiroj që ne t’i promovojmë vlerat tona. Ne jemi të dallueshëm në Evropë, në rajon me shumë gjëra. Njëra prej gjërave është zejtaria, që është një vlerë të cilën ne duhet ta ruajmë edhe është fuqi ekonomike, pra krijon të ardhura familjare. Duhet përkrahur si Komunë do jemi partnerë”.

“Zanati i juaj artarë dhe argjendarë do të jetë ndër brendet kryesore të Prishtinës.”

“Unë e kam vendos qysh në fillim, që nuk do të ndodhë kurrë që të rritet ndonjë taksë, vetëm në qoftë se ka nevojë që t’i ulim ato.”

Çeku gjithashtu në këtë takim shpalosi edhe projektin e tij për restaurimin e pjesës së vjetër të qytetit, ku një shesh do të ndërtohet dhe do lidhë pjesën prej Katedrales, Pejtonit deri te zona e vjetër e qytetit.

“Unë mendoj që këtë qendrën e ngushtë, prej Katedrales e këndej të vazhdohet të bëhet si shesh, përfshirë edhe “Pejtonin”, përfshirë edhe këtë rrugën që po quhet 92, e gjitha kjo të jetë zonë e këmbësorëve. Do të lidhet pjesa ku është sheshi Ibrahim Rugova, dhe do të vazhdojë sheshi në këtë pjesë të qytetit (afër tregut të gjelbër) . Ne mendojmë që duhet të hiqet RTK’ja prej këtu (tek tregu i gjelbër), dhe jemi duke biseduar edhe me Qeverinë.”

“Ne do të ndërtojmë një tunel, prej mbas Teatrit që do të del diku këtu (afër tregut të gjelbër) dhe përmbi tunel do të jetë për këmbësorë i gjithë sheshi.”

Ndërkaq kryetari i Shoqatës së Artarëve dhe Argjendarëve Enver Pakashtica kishte vetëm një kërkesë për Çekun për ndërrimin e ligjit të zejtarisë.

“Ne kemi një kërkesë të ndërrohet ligji i zejtarisë, sepse duhet të ruhet zeja tradicionale. Tek ne importohet produkte që janë simbole kombëtare, importohen flamujt kombëtarë prej Kinës, busti i heroit Adem Jashari prej Kinës. Ne kemi njerëz që mund t’i bëjnë këto gjëra, pse të mos u jepet rasti këtyre njerëzve”, ka thënë Pakashtica.