Mbështetje nga Populli
Dardan Molliqaj e cilëson të mbrapshtë mënyrën e financimit të subjekteve politike, me haraç e kushtëzime. E për Vetëvendosjen, e cila po kërkon para nga qytetarët, thotë se është transparente. Me gjuhën e saj, VV po kërkon \"mbështetje nga populli\".

Lajme
Vetëvendosje ka zgjedhur një mënyrë “ndryshe” për të mbledhur fonde për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Me gjuhën e saj, ajo po kërkon “mbështetje nga populli”.
Albin Kurti, përmes një deklarate të xhiruar, u ka bëtë thirrje qytetarëve dorëlirë që ta mbështesin Vetëvendosjen.
Kurti u ankua se partia e tij po hyn në këtë fushatë e pabarabartë me subjektet tjera, për të cilat tha se financohen në mënyrë jotransparente.
Pse e ka marrë Vetëvendosje këtë nismë?
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, në një bisedë për lajmi.net, e cilëson si “të mbrapshtë” mënyrën e financimit të subjekteve politike.
“Ato subjekte që marrin donacion prej bizneseve, të njëjtave ju kthehen me tenderë. Ky është një kushtëzim i dyanshëm. Në njërën anë, politika kushtëzon biznesin dhe në anën tjetër pastaj biznesi po e kushtëzon politikën, dhe të gjitha donacionet po kthehen përmes tenderëve të korruptuar”.
“Mendojmë që rruga më e drejtë, më e mundshme, më e mira, më transparente, është rruga ku merr mbështetje financiare nga dhuruesit e vegjël, pra qytetarët, mbështetësit, të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë me shuma shumë të vogla. Ne besojmë se i vetmi grup i cili mund ta kushtëzojë politikën, mund ta ndikojë politikën, duhet të jenë qytetarët e Kosovës”.
Molliqaj i Vetëvendosjes thotë se shumë prej subjekteve politike në vend i kushtëzojnë afaristët në Kosovë.
“Dikush duke u vënë haraç, dikush duke i kushtëzuar përmes Administratës Tatimore, e dikush tjetër duke i kushtëzuar që po të jem unë në pushtet, vetëm nëse mua më jep para, do të merrni”.
“Normalisht që jemi të pabarabartë, sepse ne nuk e ndjekim rrugën e tyre. Ne e kërkojmë mbështetjen e popullit, ata të cilët e bëjnë me vullnet, me dëshirë, dhe ata të cilët besojnë në konceptin tonë politik”.
“Këta të tjerët e bëjnë në forma kriminale e shantazhuese, të cilat edhe mund të jenë të efektshme në shumat e parave”.
“Në këtë aspekt, kemi thënë që jemi të pabarabartë dhe po kërkojmë që rritja e fuqisë sonë të mos vijë përmes metodave si të tyre, por të vijë përmes metodave shumë transparente, siç është mbështetja e qytetarëve”.
Dardan Molliqaj thotë se Vetëvendosje ka pasur financime nga Buxheti i Shtetit të Kosovës si subjekt i tretë në Parlament.
Një financim të rëndësishëm, siç e quan ai, pohon se e bëjnë deputetët e Vetëvendosjes që janë nga Parlamentin e Kosovës, të cilët e ndajnë pjesën më të madhe të pagës.
“Pra, ata marrin vetëm 750 euro nga paga dhe pjesën tjetër e bëjnë kontribut në forma të ndryshme, në përputhje me ligjin për financimin e subjekteve politike.”
“Dhe kemi pasur pjesën më të madhe donatorë të vegjël në Kosovë”.