Mbështetja kroate për euro-integrim

Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusic, premton se do mbështetë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit europian. Ajo vlerëson marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajme

21/02/2014 18:28

Kroacia do të mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Kështu ka thënë Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusic, gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ministri Enver Hoxhaj po qëndron për një vizitë në Zagreb, ku është takuar me zyrtarë të lartë kroatë.

Në një konferencë të përbashkët për media, Pusic ka uruar Kosovën, Serbinë dhe Komisionin Europian për arritjen e marrëveshjeve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve, raporton agjencia kroate Hina.

“Kjo u ka mundësuar dy vendeve që ndërmarrin hapa drejt integrimit europian”.

Ministri Hoxhaj ka thënë se viti 2013 ka qenë historik për të gjithë rajonin, pasi që “Kroacia është bërë anëtare e BE’së, ndërsa Kosova ka arritur që të nënshkruajë një marrëveshje historike me Serbinë”.

“Kroacia është shembull për Kosovën për të treguar se si duhet një shtet t’i përfundojë reformat për të qenë pjesë e BE’së”.

Ai ka shtuar se “Kosova është në prag të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, dhe se Pusic ka premtuar mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave me BE’në.

Dy ministrat kanë biseduar edhe për bashkëpunim ekonomik si dhe për çështjen e komuniteteve pakicë.