Mazrekaj luajti futboll në sheshin e Prishtinës, ja çfarë e pret nga Luciano Moggi (FOTO)

Futbollistët e Partizanit kanë marrë pushimet pas eliminimit nga Liga e Europës dhe për dy javë u është këshilluar pushim absolut dhe që të mos merren me asnjë aktivitet.

Sport

18/07/2017 18:37

Por nga ajo që është pasqyruar dje me foto nga “Panorama Sport”, Mentor Mazrekaj gjatë kësaj periudhe pushimi është përfshirë në një turne minifutbolli në Prishtinë.

Duke ditur që lojtari ka kaluar shumë probleme me dëmtimet, pjesëmarrja në këtë aktivitet mund t’i rrezikonte edhe karrierën te “demat”. Klubi është njohur me ngjarjen e fundit, ku mesfushori është përfshirë në një aktivitet të parekomanduar më herët nga drejtuesit.

Duke qenë se pushimet vazhdojnë edhe për këtë javë, drejtuesit po merren më shumë me anën organizative të klubit dhe për momentin nuk ka asnjë vendim për 28-vjeçarin. Gjithsesi, burime pranë klubit bënë me dije se Mazrekaj tashmë është në dorë të Moxhit, pasi dihet se ai është personi që merr vendimet tani te Partizani.

Gjithashtu, u la të kuptohet që kur ekipi të grumbullohet nuk përjashtohet marrja e ndonjë mase për lojtarin, që zakonisht gjatë periudhës së verës merr pjesë në kampionate minifutbolli në Kosovë.

Mbase kjo sjellje shikohet edhe si një shkak që lojtari të rikthehet te Prishtina, pasi sipas raporteve të ditëve të fundit nga mediat kosovare thuhet se Mazrekaj dhe bardhekaltrit pëlqejnë që të nisin një bashkëpunim të ri mes palëve.