May dhe Juncker zhvillojnë bisedime “konstruktive” për Brexit

Kryeministrja britanike, Theresa May dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker i kanë përshkruar bisedimet e tyre për ndryshimin të marrëveshjes së Brexitit si “të fuqishme por konstruktive”, përmes një deklarate të përbashkët.

Bota

07/02/2019 16:03

Presidenti Juncker ka theksuar se marrëveshja për tërheqje nuk mund të ndryshohet si dëshiron kryeministrja britanike.

Megjithatë ai ka thënë se Bashkimi Evropian është i hapur për ndryshime të termeve në dokumentin që përcakton marrëdhëniet e së ardhmes mes BE-së dhe Britanisë.

Të dy liderët janë pajtuar të takohen për të vazhduar diskutimet para fundit të shkurtit.

Ekipi i Britanisë dhe ai i BE-së pritet të rinisin diskutimet për të” gjetur një rrugë ashtu që May të fitojë mbështetjen e shumicës në Parlamentin britanik por edhe të respektojnë udhëzimet e bëra nga Këshilli Evropian”.

Përveç këtyre ekipeve, çështjen e Brexitit do ta diskutojnë edhe Sekretari britanik, Steve Barclay dhe negociatori i BE-së, Michel Barnier të hënën në Strasburg.

Kryeministrja May është duke insistuar që Mbretëria e Bashkuar të mos “bllokohet” në marrëveshjen për kufirin irlandez, që parasheh moskthimin e kontrolleve kufitare, pavarësisht çfarë pakti arrin Mbretëria me BE-në, transmeton rel.

Ajo ka thënë se pakti duhet të ndryshojë nëse dëshiron të fitojë mbështetjen e ligjvënësve, që i kanë bërë thirrje asaj të kërkojë “alternative shtesë” kur kanë refuzuar planin në parlament një muaj më parë.

May do të takohet më vonë edhe me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili ka nxitur reagime të mërkurën pasi ka thënë se “ekziston një vend i veçantë në ferr” për të gjithë ata që kanë kërkuar largimin e Britanisë nga blloku evropian pa pasur plan fillestar.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja në krahasim me 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Britania pritet të largohet nga BE-ja më 29 mars të këtij viti.