May dhe Corbyn kanë zhvilluar bisedime “konstruktive”

Kryeministrja britanike, Theresa May u është përgjigjur kritikave që kanë ardhur nga ligjvënësit e partisë së saj për negociatat që ka zhvilluar me liderin e laburistëve opozitarë, Jeremy Corbyn, duke thënë se të gjithë deputetët kanë përgjegjësi për Brexitin.

Bota

03/04/2019 20:43

May ka thënë se publiku “pret nga ne që të gjejmë një rrugë për këtë proces”.

Corbyn ka thënë në anën tjetër se mirëpret “gatishmërinë e kryeministres për të bërë kompromis në mënyrë që të çbllokohet procesi i Brexitit”.

Të dy liderët janë pajtuar të mërkurën për një “plan pune” në mënyrën që të gjejnë një zgjidhje.

Secila palë ka krijuar një ekip negocitor, që do të takohen më vonë gjatë ditës si dhe ditën e enjte për të diskutuar Brexitin.

Një zëdhënës i kryeministres May ka thënë se të dyja palët janë duke treguar “fleksibilitet”.

Vendimi i kryeministres May për të zhvilluar bisedime ka zemëruar disa përkrahës së Brexitit parandaj dy ministra kanë dhënë dorëheqje, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Chris Heaton-Harris, është personi i fundit që është larguar të mërkurën, duke thënë se puna e tij të Departamentin për largim nga Bashkimi Evropian është bërë “e parëndësishme” nëse Qeveria përgatitet të largohet pa marrëveshje.

Ministri për Uellsin, Nigel Adams po ashtu ka dhënë dorëheqje në mëngjesin e së mërkurës duke thënë se Qeveria rrezikon të dështojë në të arriturit e Brexitit për të cilin kanë votuar njerëzit.

Kryeministrja britanike ka thënë të martën se dëshiron të negociojë me Corbyn-in për të gjetur një zgjidhje dhe ta prezantojë atë para parlamentit më 10 prill, ditën që BE-ja do të mbajë një samit urgjent për Brexitin.

Ajo ka insistuar që plani i saj për largim, i cili është kundërshtuar për herë të tretë javën e kaluar, të jetë pjesë e marrëveshjes finale që do t’iu prezantohet ligjvënësve.

Nëse nuk arrihet asnjë marrëeshje në mes të dy liderëve, May ka thënë se para ligjvënësve do të vendosen një varg mundësish se si të vazhdohet më tej.

Mirëpo në secilin rast, May ka thënë se do t’i kërkojë BE-së një shtyrje të shkurtër, në mënyrë që të ketë një marrëveshje të pranuar deri më 22 maj, dhe Britania të mos ketë nevojë të jetë pjesë e zgjedhjeve evropiane.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.