Maxhuni: Të lënduar 56 policë, të arrestuar mbi 100 persona

(E plotësuar) 

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni para pak çastesh në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, bashkë me kryeprokurorin e shtetit, Sylë Hoxha, ka thënë se protesta e sotme ka përshkallëzuar në dhunë pasi që protestuesit nuk i janë përmbajtur qetësisë, duke cenuar rendin dhe sigurinë publike.

Lajme

27/01/2015 15:42

Sipas Maxhunit, në këtë protestë deri tash janë të lënduar 56 policë rëndë dhe lehtë. “Njëri nga policët është i lënduar rëndë në kokë, kurse një tjetër në dorë. Të tjerët kanë marrë lëndime të shumta në trup”, ka thënë Maxhuni.

Ai ka shtuar se policia ka reaguar varësisht nga situata, meqw planifikimin e ka bërë më herët, siç bënë rëndom.

“Deri me tash në polici janë shoqëruar mbi 100 persona”, ka thënë ai, duke shtuar se policia do të reagojë në bazë të mandatit të saj ligjor për ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik. 

__________________________________________________________________________

Emergjenca e QKUK: 45 policë dhe 29 protestues të lënduar

Drejtori i Qendrës Emergjente të QKUK-së, Basri Lenjani ka konfirmuar se 45 policë janë lënduar në protestat e sotme, ndërsa në mesin e të lënduarve që kanë kërkuar ndihmë ishin edhe 29 protestues.

KosovaPress raporton se Lenjani po ashtu tha se një protestues është lënduar nga plumbi i gomës, ndërsa jeta e tij nuk është në rrezik.

__________________________________________________________________________

Kelani: Mbi 20 policë dhe 12 qytetarë kanë pësuar lëndime

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se deri në orën 15:00, nga përleshjet janë lënduar mbi 20 policë dhe 12 protestues.

Kelani ka bërë të ditur se deri më tani janë shoqëruar në polici 27 protestues të cilët gjatë protestës kanë qenë të dhunshëm.

Ai ka thënë se protesta ka qenë e qetë në fillim, por, sipas tij, situata ka eskaluar pas deklaratave nxitëse të organizatorëve.

Ai ka thënë se policia ka qenë e detyruar  të ndërhyjë  pas dhunës së shfaqur  nga protestuesit, që sipas tij, kanë qenë të përgatitur për dhunë.