Maxhuni takon Delawie, flasin për terrorizëm dhe ekstremizmin e dhunshëm
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, sot ka pritur në një takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie, si dhe zyrtarët nga misioni i ICITAP-it, Bill Bochtere dhe Ron Fisher.

Lajme
Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale në vendin tonë, ngjarjet dhe protestat e kaluara.
Me këtë rast, siç njofton Policia e Kosovës, Delawie ka shprehur përshtypjet e tij pozitive me qasjen e Policisë së Kosovës në menaxhimin e protestave, si dhe ka vlerësuar “shumë lartë qasjen profesionale dhe dedikimin e Policisë së Kosovës ndaj qytetarëve të saj.”
Temë tjetër që zuri vend në këtë takim është edhe luftë kundër terrorizmit.
“Temë e diskutimit në këtë takim përveç tjerash ishte edhe lufta kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, mbështetja dhe bashkëpunimi i pakursyer nga Ambasada Amerikane në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve kibernetike. Në këtë kuadër u potencua ngritja e kapaciteteve në disa fusha të caktuara”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, njofton Policia e Kosovës se gjatë takimit u potencua edhe qasja profesionale e PK-së në disa raste me qytetarët amerikanë që kanë qëndruar në vendin tonë dhe besimi që është shprehur për PK-në në zgjidhjen e rasteve të caktuara. Lidhur me këtë, ambasadori Delawie ka shprehur mirënjohje.
“Ambasadori Delawie edhe njëherë konfirmoi mbështetjen dhe përkrahjen për Policinë e Kosovës me të gjitha kapacitetet në rrugën e saj për ofrimin e sigurisë dhe rendit për të gjithë qytetarët e saj, dhe vlerësimin se Policia e Kosovës është njëra ndër policit me profesionale në rajon. Njëkohësisht Drejtori i Përgjithshëm z.Maxhuni e falënderoj Ambasadorin Delawie për përkrahjen e vazhdueshme që po jep Ambasada Amerikane në Prishtinë për Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë për mediat.