Mavraj i pafat, një dëmtim i rrezikon kombëtaren

Mërgim Mavraj mungoi fundjavën e shkuar, në fitoren e madhe që skuadra e tij Ingolstadt arriti në Duisburg, duke ringjallur shpresat për mbijetesë në Bundesligën 2.

Sport

12/04/2019 12:44

Klubi gjerman nuk dha një shpjegim për mungesën e qendërmbrojtësit ekspert, por ishte e çuditshme që mungonte një titullar fiks në formacion, por edhe në stol.

Telesport ka komunikuar me mbrojtësin e kombëtares shqiptare, i cili ka zbuluar gjithçka: bëhet fjalë për një dëmtim, që është serioz, edhe pse Mavraj shpreson të kthehet në fushë brenda pak javësh.

32-vjeçari u dëmtua në ndeshjen e fundit që luajti, në 31 mars, kundër Sandhausen, duke thyer dy kocka të vogla afër legenit, kur u përplas në tokë gjatë një dueli.

“Po bëj injeksione dhe jam duke u stërvitur, edhe pse me ngarkesë jo të plotë dhe duke bërë shumë kujdes. Mjekët më kanë thënë që dhimbjet do ikin me kalimin e kohës, por vështirë se mund të kthehem në fushë deri në fund të prillit. Për 2-3 javë ndoshta do të më duhet të qëndroj jashtë, pastaj do të bëj gjithçka për të luajtur”, shprehet Mavraj, i cili gjithsesi nuk e mohon se ka frikë se dëmtimi mund ta mbajë jashtë edhe më gjatë.

“Të them të drejtën, nuk e dimë saktë se kur mund të kthehem në fushë. Jam duke shtrënguar dhëmbët, shpresoj të kem përmirësim, sepse në këtë moment nuk luaj dot”, shpjegon mbrojtësi.

Në 8 qershor Shqipëria viziton Islandën dhe Mavraj nuk do të jetë, pasi është i pezulluar, por synimi i tij është të jetë në fushë më 11 qershor, për Shqipëri-Moldavi, tjetër ndeshje kualifikuese për Euro 2020.