Matoshi: Të bëhet sa më shpejtë ndërrimi i filtrave në Kosovën B

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka kërkuar që sa më shpejt të ndërrohen filtrat e Termocentralit Kosova B.

Lajme

21/03/2019 16:48

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi sot ka vizituar Termocentralin Kosova B, me ç ‘rast është takuar me drejtorin e KEK-ut, Njazi Thaqi, me të cilin kanë diskutuar për projektet që kanë për qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e ndotjes se ajrit nga termocentralet, shkruan lajmi.net.

Siç bëhet e ditur në njoftim, me këtë rast ministri Matoshi tha se MMPH-ja mirëpret dhe mbështet  projektin për ndërrimin e filtrave në Termocentralin Kosova B,  i cili projekt financohet nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 78 milion euro.

“Me drejtorin ishim në një takim të përbashkët për të diskutuar për angazhimet tona të përbashkëta për ruajtjen e mjedisit në vendin tonë. I sqaruam disa detaje të angazhimeve tona të përbashkëta, Po ashtu sqaruam edhe ndërrimin e filtrave të Kosovës B,  që nuk janë ndërruar asnjëherë deri më sot. Unë e përgëzoj KEK-un dhe gjithë ata që punuan që ky investim 78 milion euro të vijë në vendin tonë”, tha Matoshi duke shtuar më pas se KEK-u ka arritur t’i siguroj edhe 20 milion euro për projektin që i paraprin ndërrimit të filtrave të Kosovës B.

“ Ashtu siç tha drejtori të gjitha projektet tashmë janë të shpallura në tender dhe kontrata të nënshkruhet në fillim të vjeshtës së këtij viti që do ju mundësojnë BE-së fillimin  e projektit prej 78 milion euro. MMPH do të jetë në mbështetje të KEK-ut, BE dhe gjithë të tjerëve të involvuar në këtë proces që filtrat e ri të  vendosen sa më shpejt në Kosovën B”, u shpreh Matoshi.

Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi dhe drejtori Thaçi kanë diskutuar edhe për ndërtimin e magazinave për deponimin e materialeve të rrezikshme, projekt ky i cili lidhet me dekomisionimin e Kosovës A si dhe projektet mjedisore sidomos në zonën e Obiliqit dhe përreth.

Nga ana tjetër, drejtori i KEK-ut, Njazi Thaqi tha se kjo korporatë përveç projektit për ndërrimin e filtrave, ka synim edhe një projekt tjetër që ka të bëjë me energji të pastër, apo alternative.

“Patëm një takim për të arriturat e KEK-ut sidomos në theks të veçantë Termocentralin B në ndërtimin e filtrave qe është një projekt i financuar nga zyra e BE-së, 78 milionë ndërsa KEK-u ka obligim 20 milionë. Ne si KEK jemi në fazën e projektit të prodhimit të energjisë solare dhe shumë shpejtë do të fillojmë me implementim”, tha Thaqi. /Lajmi.net/