Matoshi e Lluka nënshkruajnë deklaratë të përbashkët me shtetet e Ballkanit Perëndimor

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sot në Podgoricë kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Lajme

21/02/2019 19:53

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, morën pjesë në takimin Ndër Ministror të Ballkanit Perëndimor për Energji dhe Klimë, ku prezent ishte edhe komisioneri Johannes Hahn dhe Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, shkruan lajmi.net.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e MMPH-së, në takim u diskutua për problemet dhe sfidat e përbashkëta në fushën e mjedisit, energjisë dhe klimës dhe me këtë rast u prezantuan angazhimet e shtetit tonë, në tejkalimin e këtyre sfidave.

Në emër të Republikës së Kosovës foli ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili prezantoi angazhimin dhe të arriturat e shtetit të Kosovës në fushën e mjedisit, energjisë dhe ndryshimeve klimatike.

Ministri Lluka nder të tjerash dha lajmin që Kosova ka miratuar në Qeveri Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Ndryshime Klimatike, e cila u mirëprit nga komisioneri Johannes Hahn, si kërkesë  e Bashkimit Evropian dhe raportit të progresit për Kosovën.

Ministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor me këtë rast nënshkruam një deklaratë të përbashkët për të treguar gatishmëri për punë drejtë një qëllimi të njëjtë: Mjedis të pastër dhe diversifikim të mirëfilltë të energjisë.

Kjo deklaratë, nënshkruar nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia Veriore edhe Bosnja e Hercegovina, u cilësua si shembull i mirë i bashkëpunimit rajonal. /Lajmi.net/