Matic: Disa budallenj na i humbën pikët

Mesfushori Nemanja Matic ka kritikuar huliganët serbë që hynë në fushë dhe sulmuan futbollistët e Shqipërisë gjatë ndeshjes në Beograd, në kuadër të eliminatoreve për Euro 2016.

Sport

13/11/2014 19:27

Mesfushori i Serbisë, Nemanja Matic ka kritikuar huliganët që hynë në fushë dhe sulmuan futbollistët e Shqipërisë, gjatë ndeshjes së ndërprerë në Beograd, në kuadër të eliminatoreve për Euro 2016.

Komisioni Disiplinor i UEFA-së e regjistroi ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 në favor të vendasve me arsyetimin se skuadra kuqezi refuzoi të rikthehej për të vazhduar ndeshjen.

Por, Serbia u penalizua me tri pikë dhe dy ndeshje me dyer të mbyllura dhe Matic është i pakënaqur me vendimin.

“Nuk është motivi i njëjtë të luajmë para tribunave të zbrazta për dallim nga 25 mijë tifozë, ku është një energji më e madhe. Për shkak të disa dhjetëra budallenjve ne i humbëm tri pikë, kjo ndodh shpesh dhe jemi duke e paguar shtrenjtë”, deklaroi Matic gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes me Danimarkën të premten, raporton “Lajmi.net”.

Matic foli edhe për ndeshjen kundër Shqipërisë.

“Mund të them se ne deshëm vetëm të luajmë futboll. U munduam të rikthehemi në fushë sepse jemi profesionistë, deshëm të garojmë, pa marrë parasysh se a takohemi me Shqipërinë apo ndonjë skuadër tjetër. Nuk kemi pritur të ndodh ajo qfarë ndodhi, të gjithë e kishim të vështirë’, u shpreh mesfushori i Chelseas.