Matematika e Mimozës

Mimoza Kusari-Lila shprehet e bindur për fitore në balotazhin e Gjakovës. Thotë se propaganda e Pal Lekaj për koalicion vjen si panik për votat që i ka humbur.

Lajme

06/11/2013 12:07

Kandidatja për Kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila do të përballet në balotazh me Kryetarin aktual Pal Lekajn, shprehet për një fitore të pakontestueshme më 1 dhjetor.

Rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve në Gjakovë e ka sjellë Kusari- Lilën në ‘pole position’ si kandidaten më të votuar, prandaj ajo mendon se s’ka aritmetikë që mund t’ia marrë asaj fitoren në balotazh.

Sipas saj, spekulimet për një koalicion të mundshëm në mes të PDK’së dhe AAK’së në Komunën e Gjakovës vijnë si panik e Lekajt për votat që tashmë i ka humbur.

“Rezultati aktual në Komunën e Gjakovës jep shpresë dhe  pakontestueshëm e përcakton fituesin e 1 dhjetorit, gjegjësit atë që qytetarët e Komunës së Gjakovës e  duan ndryshimin”, ka thënë ajo, në një konferencë për media.

“Jemi me bindjen e fortë se ata që votuan kandidatët tjerë nuk e deshën Kryetarin aktual”.

“Çfarëdo propagande për koalicion në nivel qendror tashmë e kemi kuptuar se nuk çon peshë te elektorati, për shkak se elektorati e vendos paraprakisht se kë do ta votojnë dhe se a e duan apo nuk e duan ndryshimin”.

“Çfarëdo koalicioni në një copë letër nuk e ndryshon realitetin në Komunën e Gjakovës. Prandaj, çfarëdo copë letre që shkruhet ose në Prishtinë ose në Komunën e Gjakovës nuk e ndryshon gjendjen e banorëve të Gjakovës”.

Kusari- Lila i ka bërë një matematikë partive që kanë marrë numrin më të madh të votave, duke thënë se 15 mijë vota të kandidatëve tjerë dhe 19 mijë vota të saj tregojnë pakontestueshëm ndryshimin në Komunën e Gjakovës

“Unë besoj që ata do të dinë të votojnë ashtu siç kanë ditë edhe më 3 nëntor dhe ndryshimi ka ndodhë edhe në Komunën e Gjakovës”.

“Diferenca në mes meje dhe Kryetarit në largim është aq e madhe sa edhe nëse ndodhin koalicionet prapë ndikimi në elektorat do të jetë i vogël”.

“Unë besoj se do ta fitoj Gjakovën me qytetarët e Komunës së Gjakovës. Ata janë aleati im kryesor”.

“Tendenca jonë është koalicioni me të gjithë qytetarët e Komunës së Gjakovës që e duan ndryshimin”.

Kusari-Lila është shprehur e kënaqur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 3 nëntorit duke i cilësuar ato si të lira dhe demokratike.