Mat disponimin

Pasi eci nëpër lagjet e Gjilanit, Thaçi tha se duke parë disponimin e qytetarëve gjilanas - nuk ka asnjë dilemë se fitorja e PDK’së është e sigurt.

Lajme

11/10/2013 14:15

Një konkluzion e ka arritur të premten në Gjilan Hashim Thaçi kur ka përfunduar xhiron nëpër rrugët e qytetit bashkë me Qemajl Mustafën: se ky i fundit nuk ka konkurrencë në garën për Kryetar të Komunës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Pasi ka shëtitur nëpër lagjet e Gjilanit, Thaçi tha se duke parë disponimin e qytetarëve gjilanas dhe duke parë “punën e mirë” që ka bërë Qemajl Mustafa dhe PDK në Gjilan, nuk ka asnjë dilemë se fitorja e PDK’së në Gjilan është e sigurt.

Ai i shpreh se u është falënderues të gjitha kategorive në Gjilan duke filluar nga studentët, mësuesit, njerëzit tjerë që punojnë në institucione e kompani publike për mbështetjen e madhe që po i japin kandidatit të PDK’së, raporton Rajonipress.

“Unë isha vetë dëshmitar dhe takova të gjitha kategoritë e qytetarëve në Gjilan. Nga këta qytetarë edhe njëherë mora përkrahjen dhe mbështetjen e madhe që po i bëhet Qemajl Mustafës”.

“Duke parë këtë disponim të mirë dhe këto opinione shumë pozitive për Qemajl Mustafën jam i sigurt se fitorja e PDK’së as që vihet në dilemë. Ne thjeshtë do të fitojmë pa balotazh”, tha Thaçi.

Edhe Qemajl Mustafa tha se në Gjilan PDK dhe ai si kandidat po gjen përkrahje të parezervë.

“Kemi bërë punë të mira dhe kemi ndërtuar kapacitete e infrastrukturë të mirë për të gjithë qytetin e Gjilanit”.

“Të gjitha këto punë të shumta dhe të mira janë bërë falë përkushtimit dhe mbështetjes së Hashim Thaçit dhe Qeverisë së Kosovës. Jemi të sigurt në fitoren e PDK’së”,  tha Mustafa.