MASHT: Mos i përdorni nxënësit për agjenda të politikave ditore
Ministria e Arsimit thotë se përqendrimi i gazrave në ambientet shkollore është sipas standardeve. MAShT siguron opinionin e gjerë e sidomos prindërit se nuk ka arsye për shqetësime dhe kërkon që të gjitha shkollat e Prishtinës të hënën të fillojnë mësimin.
Lajme
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thotë se përqendrimi i gazrave në ambientet shkollore është sipas standardeve.
Deri te ky konstatim MASHT thotë se ka ardhur pas inspektimit me ekspertizë që është bërë në disa shkolla nga Departamenti i Inspeksionit i kësaj ministrie.
“MAShT ka dërguar në terren inspektoret e arsimit, pas situatës së krijuar të premten, kur u mbyllen disa nga shkollat e Prishtinës, me arsyetimin se për ngrohje në shkollat e kryeqytetit është përdorur naftë me sasi të lartë të sulfurit”.
“Departamenti i Inspeksionit ekspertizën e ka bërë në shkollat: ‘Sami Frashëri’, ‘Gjergj Fishta’, ‘Hasan Prishtina’ dhe shkolla e re në Hajvali. Ndërsa, përveç inspektorëve të arsimit, në këtë inspektim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga inspektorati i Ministrisë së Punës, nga Drejtoria Komunale e Arsimit, Instituti i Mjekësisë së Punës – Shërbimi për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe drejtorët e shkollave përkatëse”.
“Në bazë të matjeve të përqendrimit të gazrave kimike (dioksidit të karbonit, monoksidit të karbonit dhe gazrave nitroze), me paisjen Multianalizer të kompanisë ‘Dragen’, kemi konstatuar se përqendrimi i gazrave toksike në ambientet dhe mjediset shkollore është: CO2-0,030% – 0,070% (në kufijtë normal), monoksidi i karbonit (CO-0,0 ppm), dioksidi i sulfurit (SO2-0,0ppm) dhe gazrat nitroze (Nox – 0,0ppm)”, thuhet në raportin e Departamentit të Inspeksionit, ku është konstatuar se përqendrimi i gazrave në ambientet shkollore është sipas standardeve të përcaktuara”.
Po ashtu, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thotë se pas kërkesës së bërë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për të kuptuar përmbajtjen e cilësisë së naftës që përdoret për ngrohje në shkollat e Prishtinës, ka marrë përgjigjen nga kjo e fundit se derivatet e naftës të përdorura për ngrohje në shkollat e Prishtinës janë brenda standardeve të përcaktuara dhe rregulloret në fuqi në Kosovë.
“Prandaj, MAShT siguron opinionin e gjerë e sidomos prindërit se nuk ka arsye për shqetësime dhe kërkon që të gjitha shkollat e Prishtinës të hënën të fillojnë mësimin”.
“Po ashtu, MAShT bën thirrje që shkollat, respektivisht nxënësit dhe mësimdhënësit të mos përdoren për agjenda të politikave ditore”.