MASHT-i i Serbisë me diktat shkollave kosovare që të ndjekin vizitën e Vuçiqit

Se ka ndërhyrje të madhe dhe skandaloze të organeve të Serbisë në punët dhe në territorin e Kosovës dëshmon edhe dokumenti që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Serbisë ju ka dërguar këto ditë shkollave me mësim në gjuhën serbe në Kosovë. 

Lajme

13/01/2015 22:34

Sipas këtij dokumenti zyrtar, të cilin e ka zbuluar lajmi.net, Ministria e  Arsimit e Serbisë kërkon nga drejtorët e enteve arsimore-edukuese në Ranillug të Kosoëvs që me rastin e hapjes së spitalit në Pasjan, më 14 janar (do ta inaugurojë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq), dhe mitingut më vonë në Graçanicë, e kanë obligim punues që bashkë me punëtorët e shkollave të jenë të pranishëm në këto dy ngjarje.

Ja edhe njoftimi zyrtar i dërguar drejtorëve të shkollave në Ranillug:

“Njoftim me rastin e hapjes së spitalit në Pasjan dhe mitingut në Graçanicë.

Ju njoftojmë se ju, dhe punëtorët tuaj, në kuadër të obligimit punues jeni të detyruar që në mënyrë të organizuar të merrni pjesë më 14.01.2015 (e mërkurë) në Pasjan, në hapjen solemne të spitalit. Hapja solemne e spitalit është në orën 10:00.

Në hapjen solemne do të marrë pjesë kryetari i Qeverisë i Republikës së Serbisë,  Aleksandar Vuçiq me bashkëpunëtorë.

Transporti nuk është i organizuar.

Të njëjtën ditë, në Graçanicë do të mbahet mitingu në të cilin do të jenë të pranishëm kryeministri Aleksandar Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij.

Transporti deri në Graçanicë është i siguruar.

Për të gjitha detajet do të njoftoheni në mbledhjen me kryetarët e organeve të përkohshme të komunave tona që do ta organizojnë ata”, thuhet pos tjerash në këtë njoftim të dërguar drejtorëve të shkollave në Ranillug. (lajmi.net)