MASHT-i i prerë ndaj SBASHK-ut: Orët e humbura obligim të zëvendësohen

SBASHK-u e ministria e Arsimit po vazhdojnë përplasjet për orët e humbura nga greva.

Lajme

21/03/2019 12:15

Sindikata e Pavarur e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), sot ka marrë vendim që orët e humbura gjatë grevës të mos zëvendësohen, e ky vendim bie në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“SBASHK dje në orët e pasdites ka mbajtur një takim me të gjithë kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar dhe kryetarin e SUSHK-ut, nga i cili takim në mënyrë unanime u kërkua që të zbatohet vendimi i Këshillit Drejtues i SBASHK-ut që orët e humbura gjatë grevës mos të zëvendësohen as të shtunave, as pushimit pranveror e as në fund vitit”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Por këtë qëndrim të SBASHK-ut, në Ministrinë e Arsimit e quajnë të pakuptimtë.

Arbër Geci, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, ka thënë për lajmi.net se qëndrimi i SBASHK-ut është i pakuptimtë dhe si i tillë dëmton procesin mësimor.

“Ministria e Arsimit ka marrë një vendim për zëvendësimin e orëve të humbura dhe e ka planifikuar zëvendësimin e orëve në mënyrën më të mirë që ka qenë e mundur. Vendim është në fuqi dhe është detyrë e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe drejtorëve të shkollave që ta zëvendësojnë orët e humbura. Për ne qëndrimi i SBASHK-ut është i pakuptimtë, pavarësisht që ata thirrën në atë se nxënësit sipas kontratës e kanë obligative që t’i mbajnë 20 orë mësimore gjatë javës, ekziston edhe një afat i kohëzgjatjes së gjysmë vjetorit dhe i normës së caktuar të orëve mësimorë që duhet mbahen dhe një planprogram i caktuar i cili zbatohet”, ka thënë Geci.

Ai ka thënë se SBASHK-u, ka arritur objektivat e saj përmes grevës, derisa ka shtuar se vendimi i MASHT-it është në fuqi dhe duhet të respektohet.

“3 javë të humbura janë jashtëzakonisht shumë për të humbur në procesin e rregullt mësimor dhe kështu siç SBASHK-u ka të drejtë kushtetuese grevën, ashtu edhe nxënësit e kanë të drejtë kushtetuese edukimin. Kështu që SBASHK-u ka arritur objektivat e veta përmes grevës dhe besojmë që pjesa tjetër është shumë e ndjeshme. Ne e kemi obligim që të marrim vendime të cilat janë në interes të nxënësve dhe procesit mësimorë. Vendimi i ministrisë është në fuqi, është vendim ligjor dhe obligativ dhe duhet të zbatohet”, ka thënë Geci për lajmi.net.

Ai ka thënë se është nën përgjegjësin e Drejtorive Komunale të Arsimit që të zbatojnë vendimit e MASHT-it për zëvendësimin e orëve të humbura.

Sipas tij kjo nuk është çështje inateve, por është në interesin e nxënësve, sepse siç thotë ai, është humbur një kohe e gjatë e mësimit.

“Është detyrë e Drejtorive Komunale të Arsimit, e Inspektoratit të Arsimit që të mbikëqyrë mbarëvajtjen e orëve të humbura, nëse nuk ndodh, normalisht duhet dhënë raportet për orët që zëvendësohen apo orët që nuk zëvendësohen dhe normalisht janë aktet tjera që i mbikëqyrin komunat dhe është në kompetencë të drejtorive komunale që të përkujdesën që orët humbura të plotësohen. Nuk është çështje as e dëshirës dhe as e inateve është çështje e interesit të nxënësve sepse është humbur një kohë e shumë gjatë, dhe kjo pa dyshim ndikon në cilësinë e arsimit”, ka thënë tutje Geci. /Lajmi.net/