Masat e reja kundër COVID-19 në Kosovë, reagojnë nga vendet fqinje

Dje në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër COVID-19, në të cilat parashihet se çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit kundër COVID-19 me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese), ose certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, së bashku me testin RT-PCR negativ për COVID-19.

Lajme

23/01/2022 14:26

Ky vendim i institucioneve të Kosovës ka ngjallur reagim edhe tek vendet fqinje, shkruan lajmi.net.

Zëvendësministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Ilir Hasani ka deklaruar se kufizimi i lëvizjes mes Kosovës dhe Maqedonisë epidemiologjikisht nuk ka asnjë peshë për momentin.

Ai është shprehur se nuk po arrin të kuptoj veprimin e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

“Me shumë vështirësi dhe mezi e bëmë hapjen e kufirit, pas kufizimeve të para që ishin vendosur në fillim të pandemisë. Një vendim i tillë i kufizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve tanë, kur tan bota fillon ti tërheq kufizimet dhe certifikatat, do reflektoj në  vështirësi të panevojshme në plan ekonomik, social, shpirtnor, etj. Ministër, kolegu im Latifi, respekt si profesionist që je, por vendimin duhet ta rishqyrtojsh urgjentisht. ”, ka shkruar Hasani ditën e djeshme në rrjetin e tij social Facebook.

Në anën tjetër ka reaguar edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila ka thënë se vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës lidhur me masat kundër COVID-19 ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të komunës që ajo udhëheq.

Sinani ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e marrë për masat e reja anti-COVID-19, duke marrë parasysh lehtësimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve.

“Duke qenë se një pjesë jo e pakët e tyre nuk mund ta marrin dozën e tretë sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë dhe shumë prej bashkëvendësve tanë nuk kanë mundësitë financiare për ta kryer testin RT-PCR çdo herë që e kalojnë kufirin, kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës, ku edhe punojnë, studiojnë, shërohen, apo edhe vizitojnë reciprokisht familjarët e tyre, etj. Duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e rënduar me Pandeminë COVID-19, ftoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit tone”, ka thënë ajo. /Lajmi.net/