Masakra pas sherrit banal, kushëriri: Në oborr gjetëm tri viktima (Foto)

Një familje është shuar nga një breshëri armësh mbrëmjen e së premtes vetëm pak minuta para mesnatës në Thumanë të Krujës. Tre persona nga e njëjta familje janë ekzekutuar me armë zjarri pas një sherri banal.

Lajme

07/06/2015 08:44

Sherri ka pasur protagonist një shofer furgoni nga Fushë-Kruja, mik i familjes së vrarë dhe autorët e krimit. Viktimat e kësaj masakre janë Fran Çeku, 79 vjeç, djali i tij Arben Çeku, 44 vjeç si dhe nipi i tyre Eno Rama, 20 vjeç, të 3 banues në Thumanë.

Gjatë breshërisë së plumbave mbeti e plagosur edhe Luçie Çeku, 66 vjeçe, bashkëshortja e Fran Çekut, e cila është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku gjendet në gjendje të rëndë. Policia tha se ka identifikuar katër autorët e masakrës. Sipas policisë autorët e dyshuar të krimit të trefishtë janë vëllezërit Danjel, Pëllumb e Besnik Kora, si dhe babai i tyre, Gurali Kora. Policia lokale thotë se ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive banale, që autorët kanë pasur rreth një muaj më parë me një mik të njërit prej viktimave, Arben Çekun. Rreth një orë para ekzekutimit të krimit Arben Çeku është konfliktuar me autorët e krimit për këtë shkak.

Dinamika e ngjarjes

Konflikti mes familjes Çeku dhe familjes Kora mendohet të ketë lindur gati një muaj më parë. Dy prej vëllezërve Kora kanë rrahur një shofer furgoni, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur, por dihet që ishte nga Fushë- Kruja dhe ishte shok me viktimën Arben Çeku. Pasi është kthyer vetëm një javë më parë nga Italia, Arben Çeku ka takuar në një lokal anëtarët e familjes Kora për të sqaruar ngjarjen e ndodhur mes tyre dhe shokut të tij, por debati ka degjeneruar në një konflikt fizik dhe verbal mes tyre.

Pas kësaj palët janë ndarë. Arben Çeku është bashkuar me familjen e tij në banesë, ndërsa 4 anëtarët e familjes Kora kanë marrë armët e zjarrit dhe kanë shkuar në banesën e Arben Cekut duke e kërkuar të dalë jashtë për sqarim. Fran Çeku dhe Arben Çeku kanë qenë te lokali i tyre shumë pranë banesës kur janë vrarë nga 4 anëtarët e familjes Kora. Ndërsa nipi i tyre Eno Rama dhe 66-vjeçarja Luçie Çeku janë afruar më vonë në vendngjarje, pasi kanë dëgjuar krismat.

Danjel, Pëllumb e Besnik Kora, në prani të të atit të tyre Gurali Kora kanë gjuajtur edhe ndaj tyre, duke lënë 20-vjeçarin e vdekur dhe 66-vjeçaren të plagosur rëndë. 66-vjçarja Luçie Çeku është shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Gjatë sulmit nga katër bashkëfshatarët e saj ajo ka marrë dy plumba, një në mushkëri dhe një në bark. Sipas mjekëve gjendja e saj shëndetësore ende nuk mund të quhet jashtë rrezikut për jetën.

Ka qenë Luçie Çeku ajo që ka mundur të identifikojë autorët e kësaj masakre dhe të ndihmojë policinë në lidhje me zbardhjen e kësaj çështjeje. E gjithë ngjarja është zhvilluar në një rrugicë të ngushtë dhe të pandriçuar që lidh banesën dhe biznesin “Bar Kafe” të familjes Çeku me qendrën e Thumanës. Në të dy anët e kësaj rrugice ka dy ndërtesa gjysmë të shkatërruara, në muret e të cilës duken ende gjurmët e plumbave. Menjëherë pas vrasjes, duke u favorizuar edhe nga nata, autorët janë larguar në drejtim të paditur.

Kush ishin viktimat

Familja Çeku dhe familja Kora jetojnë në Thumanë, në dy lagje të ndryshme, por shumë pranë njëra-tjetrës, në qendër të Thumanës. Nga banorët e fshatit ato njihen si familje të qeta që nuk kanë pasur ndonjëherë konflikte me njëra-tjetrën. Fran Çeku dhe Luçie Çeku jetonin me pensionin e tyre. Shumë pranë banesës ata kishin edhe një “Bar Kafe” të vogël. Përveç Arbenit, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e së premtes, çifti Çeku ka edhe dy djem të tjerë. Nga ana tjetër, 44-vjeçari Arben Çeku jetonte si emigrant në Itali së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur. Para një jave ai kishte ardhur në Thumanë për të vizituar prindërit. Ndërsa Eno Rama është nip i familjes Çeku. Ai njihet si djalë i urtë që nuk krijonte konflikte. Mbrëmjen e së premtes ai kishte dalë me miqtë e tij dhe kur po kthehej për në shtëpinë e tij, e cila është shumë afër me banesën e familjes Çeku, është ndalur për t’i përshëndetur ata. Aty është ndeshur me katër agresorët, të cilët e goditën me breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur në vend.

Fshati në zi për vrasjen e trefishtë

2

Në shtëpinë e familjes Çeku dje u hapën dyert e mortit. Në zi ishin të gjithë, burra e gra të fisit Çeku, të cilët mes lotëve e kishin shumë të vështirë të tregonin çfarë ka ndodhur. Altini, kushëriri i Arben Çekut tregon se kjo ngjarje është një tragjedi për fisin e tyre. “Na i mbyllën shtëpinë, është e tmerrshme. Gjetëm tre trupa pajetë në oborr dhe e katërta po lufton me jetën në spital. Nuk di të them çfarë ka ndodhur. Nuk kemi pasur asnjë konflikt me asnjeri. As me familjen Kora nuk kemi pasur asnjë grindje e jo më hasmëri. Jemi rritur bashkë në një fshat Urojmë që drejtësia të vihet në vend për këta 3 veta që u vranë te pragu i shtëpisë së tyre pa asnjë shkak”, u shpreh ai. Po kaq të traumatizuar u shprehën edhe banorët e Thumanës, të cilët u zgjuan nga breshëria e armëve në mesnatë. “Si prind i një djali në moshën e Enos jam e tronditur nga kjo ngjarje. Si mund të shuhet një familje për një llaf goje. Enon e kishim në lagje dhe e njihnim mirë. Ishte djalë i urtë dhe nuk përzihej me sherre. Edhe dy familjet mesa di unë nuk kanë pasur konflikte me njëra-tjetrën”, u shpreh Maria, një banore e Thumanës.

Mbyllet shtëpia e vrasësve, gjueti për gjetjen e tyre

Të arratisurit Gurali Kora dhe tre djemtë e tij shfaqin rrezikshmëri të lartë pasi mendohet që të katër të jenë të armatosur

(I dyshuari në kërkim nga policia)
(I dyshuari në kërkim nga policia)
(Danjel Kora, në kërkim)
(Danjel Kora, në kërkim)

Familja Kora është një prej familjeve autoktone të Thumanës. Banorët e fshatit tregojnë se tre djemtë e kësaj familje, Danjeli, Pëllumbi dhe Besniku janë të papunë. Sipas tyre, familja është në kushte të vështira ekonomike dhe jeton vetëm me të ardhurat që sjell i ati duke mbledhur bretkosa ose kanaçe. Shtëpia e tyre është në një rrugicë shumë afër qendrës së Thumanës, afër xhamisë së fshatit. Gjatë ditës së djeshme dyert e saj ishin të mbyllura dhe në të gjithë lagjen kishte shumë oficerë policie. Gratë e shtëpisë kishin braktisur banesën pas krimit që dyshohet se e kanë bërë burrat e kësaj familje. Çifti Kora ka katër djem, ku tre prej të cilëve Danjeli, Pëllumbi dhe Besniku dyshohet se janë autorë të vrasjes së trefishtë. Burime nga policia e Krujës thonë se të arratisurit Gurali Kora dhe tre djemtë e tij shfaqin rrezikshmëri të lartë pasi mendohet që të katër të jenë të armatosur. Sipas të njëjtave burime mësohet se dy prej djemve të kësaj familje janë me precedentë penalë të mëparshëm. Sipas atyre që pohojnë banorët e fshatit Thumanë familja Çeku dhe familja Kora janë nga familjet më të vjetra në këtë fshat. Ata kanë shkuar shumë mirë me njëri-tjetrin, madje kanë pasur dhe hyrje dalje, sepse jetonin afër. Prandaj është e vështirë të shpjegohet ajo që ka ndodhur mes tyre.

Aksioni për kapjen e të dyshuarve 

5

Për kapjen e katër autorëve të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Thumanë janë angazhuar 200 forca police. Oficerët e policisë kanë zbarkuar në terren në kërkim të autorëve të krimit makabër. Sipas burimeve policore në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të dy armëve të ndryshme, një kallashnikov dhe një pistoletë. Ndërkohë raportohet se për sqarimin e plotë të ngjarjes në polici janë shoqëruar 10 persona që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen. Policia po vijon kërkimet edhe në fshatrat përreth, ndërsa ka ngritur edhe postblloqe në akset rrugore që lidhin fshati Thumanë me fshatrat e tjerë përreth. Makina të shumta policore patrullonin edhe brenda fshatit. Operacioni për kapjen e të dyshuarve ka nisur që prej mesnatës së të premtes dhe po vijon ende. Shërbimet policore të Krujës dhe Durrësit kanë ngritur postblloqe në rrugë dhe ende po vijojnë kontrollet në zonë, për të kapur autorët e dyshuar, të cilët pas krimit mendohet se janë larguar me shpejtësi nga fshati. (Shekulli)