Masakra në Elbasan, a dështoi policia!?

15:27 | 12 Prill 2016

Lokali ku ndodhi ngjarja në Elbasan

Mbi 300 forca speciale të Policisë e Shqipërisë, RENEA dhe FNSH, u dyndën në Elbasan pas masakrës së 3 shkurtit, ku nga disa breshëri automatiku u vranë në një lokal 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë.

​Policia e Elbasanit u gjet e papërgatitur, ndonëse shenjestra e sulmit, anëtarët e fisit Çapja, mbikqyreshin prej kohësh për shkak të hasmërive të vjetra e një zinxhiri ngjarjesh kriminale që i kishte parë të përfshirë apo të dyshuar.

Forcat RENEA, FNSH e Fierit dhe policitë e disa qyteteve, si Tiranë, Durrës, Lushnje, Librazhd e Gramsh u vunë në gatishmëri.

Elbasani u blindua për disa ditë. Policia dërgoi në media filmime të shumta të kontrolleve të kryera gjatë ditës e gjatë natës, me persona të shoqëruar nga forca speciale të maskuara dhe të armatosura rëndë.

Blindat e RENEA hynë nëpër lagje sa në kërkim të vrasësve, ende të paidentifikuar, aq edhe në arrestimin e personave të dyshuar si të përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale.

Disa familje u mbajtën nën vëzhgim të fshetë, në veçanti familjet Mema e Beqiri që ishin në hasmëri me fisin Çapja, që në antentatin e të mërkurës së 3 shkurtit humbi një pjesëtar të saj, Agron Çapen dhe iu plagosën dy të tjerë, shkruan lapsi.al.

Forcat e policisë qëndruan për disa javë në Elbasan. Por dy muaj pas masakrës dhe këtij mobilizimi të paparë ndonjëherë të policisë për një ngjarje kriminale, një tjetër vrasje që dyshohet të jetë një tjetër hallkë e zinxhirit të hakmarrjeve të fiseve Çapja me fiset Mema e Beqiri.

Viktima e mëngjesit të së hënës së 11 prillit është Saimir Beqiri. Ai është vëllai i Gentian Beqirit të vrarë në vitin 2012 në shtëpinë e tij, bashkë me babanë, të afërm të familjes Mema. Gentiani ishte dënuar për vrasjen e Sokol Çapes dhjetorin e vitit 2005. Ishte nxjerrë në arrest shtëpie pasi kishte mbetur i paralizuar gjatë tentativës për t’i ikur policisë.

Si i dyshuar për vrasjen e tij u arrestua Florenc Çapja, i cili mbeti i plagosur ngjarjen e 3 shkurtit. Pas disa ditësh u lirua, pasi provoi që kishte kaluar në Maqedoni para ngjarjes dhe kishte hyrë pas saj, edhe pse prokurorët dyshonin se ai mund të kishte hyrë dhe dalë ilegalisht nga Shqipëria gjatë kësaj periudhe.

Ngjarja e 3 shkurtit, sipas grupit hetimor, u krye për hakmarrje. Dhe pjesëtarët e fiseve të dyshuara janë ndjekur gjatë kohës së hetimeve, që nuk kanë përfunduar ende, edhe me metoda speciale. Mes tyre edhe Saimir Beqiri.

Por mëngjesi i 11 prillit e gjeti sërish të papërgatitur policinë e Elbasanit. Saimir Beqiri u ndoq me makinë, më pas në këmbë dhe u ekzekutua me silenciator përpara një pike karburanti nga dy persona që mbanin paruke, por me fytyra të zbuluara.

renea_5

Prokuroria ka dyshime të forta se eliminimi i tij është i lidhur me mbrëmjen e 3 shkurtit. Vrasësit mundën të largohen dhe policia ka arrestuar vetëm rojen e pikës së karburantit, për moskallëzim krimi, por asnjë nga autorët.

Për vrasjen e 3 shkurtit, në Elbasan shkoi edhe vetë kreu i policisë së shtetit, Haki Çako. Ai do të deklaronte  se pista kryesore e hetimeve ishte ajo e hakmarrjes, një deklaratë kjo që paralajmëronte se zinxhiri i hakmarrjeve që ka marrë 10 jetë në 11 vjet nuk do të ndalej.

Megjithatë, policia dështoi edhe njëherë që ta parandalonte valën e krimeve, ndonëse i kishte identifikuar prej kohësh personat që mund të ishin në shenjestër të hakmarrjes, që deri tani ka shkaktuar 12 viktima.

Sokol Çapja, Agron Çapja, Eno Bedalli e Ardit Sinakolli janë viktimat e njërës palë, ndërsa Fadil Mema, Ardian Ibrahimi, Gentian Beqiri, Nezir Beqiri (babai i Gentianit), Saimir Beqiri, Dritan Sheme, Roland Rexhepi e Ilir Rexhepi të vrarët nga pala tjetër.

Për hasmërinë mes dy fiseve ndodhen në burg tre persona.  Armand Llakaj, i njohur me nofkën “Çekrezi” është dënuar me 25 vjet burg dhe Marjus Tafa është dënuar me 23 vite burg, që të dy të akuzuar për vrasjen e kushëririt të Fadil Memës, Roland Rexhepit. Armand Hasani i afërmi i familjes Mema është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e Sokol Çapjes. Ai është i vetmi i mbijetuar nga tre të akuzuarit për atentatin. /lajmi.net