Masakra e Mejës – dëshmi se Serbia kishte qëllim shfarosjen e shqiptarëve

“Lëndina e Pikëllimit” është dhe do të mbetet përgjithmonë sinonim i dhembjes, i krenarisë, por edhe i kujtesës tonë kombëtare, tha të hënën kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në përkujtimin e Masakrës së Mejës e Korenicës, e ndodhur më 27 prill 1999, ku u vranë dhe u zhdukën 377 shqiptarë.

Lajme

27/04/2015 16:20

Mëngjesin e hershëm të 27 prillit të vitit ’99 të mbijetuarit e masakrës më të madhe dhe më makabre të forcave okupuese serbe ndaj popullsisë civile në Kosovë, e kanë përshkruar si ‘kalvar vdekjeje’.

“Në drejtim të Mejës, golgotës së Dukagjinit, sipas një plani të përgatitur në mënyrën më kriminale nga forcat serbe, i orientuan banorët e fshatrave Necaj, Nivokaz, Dobrosh, Sheremet, Jahoc, Ponoshec, Racaj, Ramoc, Madanaj dhe Orize në këtë “Lëndinë Pikëllimi” ku u vranë dhe u masakruan 377 shqiptarë, disa prej të cilëve edhe sot, 16 vjet pas, konsiderohen të pagjetur”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri tha se Masakra e Mejës është një nga dëshmitë më të forta që Serbia kishte qëllim spastrimin dhe shfarosjen e popullatës shqiptare.

“Përpara një monumenti të tillë të dhembjes dhe kujtesës kombëtare, ne përulemi me respekt dhe ndjehemi të detyruar të bëjmë çfarë është e mundur për të zbardhur fatin e të pagjeturve”, tha Mustafa dhe shtoi se “mbamendja dhe respekti e përkujtimi, nuk janë të vetmet detyrime tona”.

“Ju garantoj se në përputhje me obligimet ligjore e kushtetuese, në harmoni me konventat ndërkombëtare, Qeveria e Republikës së Kosovës do të insistojë për t’ua krijuar kushtet e përshtatshme mekanizmave të sundimit të ligjit dhe të rendit, për të zbardhur në tërësi këtë ngjarje makabre dhe për të vendosur përpara drejtësisë ideatorët dhe ekzekutuesit e masakrës së Mejës dhe të gjitha masakrave tjera anembanë Kosovës”.

“Kosova ka demonstruar dhe po demonstron gatishmërinë e bashkëpunimit me drejtësinë për të zbardhur të gjitha dyshimet dhe akuzat që rëndojnë mbi njerëzit e saj. Unë besoj se Kosova ka siguruar tashmë të drejtën që ta ketë mbështetjen e krejt botës për ta detyruar Serbinë të dorëzojë të gjitha viktimat shqiptare që i mban të fshehura”.

“Krahas kësaj, jam i bindur se bota do të përkrahë edhe kërkesën  tonë që Serbia të shtrëngohet për t’i dorëzuar fajtorët për krimet që janë kryer ndaj popullsisë civile në Kosovë, në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë për veprat e tyre kriminale”.

Çështja e të pagjeturve dhe çështja e vendosjes para drejtësisë të ideatorëve dhe kryesve të krimeve, ende nuk ka gjetur vendin dhe trajtimin që meriton.

“Unë e di që keni pritur gjatë dhe çdo ditë e juaja është ditë e ankthit. Por, tash jemi në një tjetër gjendje, jemi një shtet i organizuar, jemi një shtet me shumë miq dhe me miqtë më të fortë që udhëhiqen nga parimet e drejtësisë dhe parimet e njerëzisë”, tha Mustafa, në ceremoninë ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues tjerë institucionalë, lokalë dhe liderë të partive politike.