Marshi i Pestë

Për t’u vënë në marshin e pestë, Universiteti i Prishtinës duhet të hapet ndaj vlerave civilizuese dhe trendëve bashkëkohorë. Këtë e mundëson dija, vullneti dhe teknologjia, por më shumë liria intelektuale, që në Kosovë rri e mpirë, si e kafshuar nga gjarpri.

Opinion

03/02/2014 22:00

Nuk është hera e parë që po e përmend se Universiteti i Prishtinës, prej formimit të vet e deri më sot, gati në çdo dhjetë vjet ka përjetuar një rënie përtokë. Tash kur ka filluar dekadën e pestë, UP-ja përsëri po shkon zvarrë dhe, për më keq, po i zvarritë përtokë edhe studentët e vet.

Dje

Në vitin 1970, UP-ja u vu në marshin e parë, por pas një dekade pune, përkatësisht në vitin 1981, përjetoi rënien e vet të parë. Jo vetëm puna dhe sukseset, por edhe demonstratat studentore bënë që ky institucion atëherë të shikohej me respekt e dashuri të jashtëzakonshme nga populli, por edhe me dyshim, po ashtu të jashtëzakonshëm, nga regjimi i atëhershëm. Procesi i përndjekjeve politike i pati shndërruar amfiteatrot e dijes në arena të frikës, ndëshkimit dhe disiplinimit. Profesorët, studentët dhe studiuesit shpenzonin energji të madhe shpirtërore, për t’i shpëtuar cilësimit të atëhershëm “Armik i popullit dhe i shtetit”.

Marshin e dytë, UP-ja e përjetoi në vitet e 90-ta, kur pas përndjekjes nga regjimi iu desh të gjente strehim jashtë godinave universitare. Puna në lokalet private nëpër periferitë e qytetit ishte ambivalente: nga njëra anë mungonte siguria për punë e për jetë, e nga ana tjetër kishte motiv dhe vullnet të madh për të qëndruar. Krahas misionit primar, UP-ja kishte edhe një mision tjetër që po e përmbushte – atë të vizionit dhe ruajtjes së shpresës për liri tek popullit shqiptar, karshi një pushteti dhe regjimi krejtësisht antishqiptar.

U desh të kalonte edhe një dekadë për të ardhur koha kur UP-ja nisi marshin e vet të radhës. Rikthimi në godinat e vjetra ishte një rilindje për të. Hapësira për punë tashmë ishte e mjaftueshme, por mjetet dhe kushtet tjera për mësim nuk mjaftonin. Jo pse nuk kishte pajisje, literaturë, e shumëçka tjetër, por përgjegjësia e stafit filloi të bie. Angazhimi i stafit në projektet jashtë-akademike bëri që procesi pedagogjik të improvizohej. Për shumë profesorë, Universiteti u bë tezgë – e jo vatër. Ajo që e rrëzoi përtokë UP-në në atë kohë ishte kalimi në modelin e Deklaratës së Bolonjës, i cili qe i shpejtë dhe i pamatur, por i detyruar nga administratori i atëhershëm ndërkombëtar. Fraza: “Daxneri e shkatërroi Universitetin” dëgjohej gjithandej. Në fajtorin e gjetur, në fakt, fshihej faji i të gjithëve.

Sot

Duket se ritmi i rënies përtokë po rishfaqet përsëri. Për habi, kjo po përputhet me ritmin e krijuar në dekadat e mëparshme. UP-ja sot po përpëlitet me identitetin, kredibilitetin dhe funksionalitetin e vet. Rënien e re UP-ja e përjetoi sidomos gjatë udhëheqjes së Mujë Rugovës, kur ligji dhe ligjshmëria u “lakuan”; kur shkenca dhe dija – këto dy “shoqe të mira”, u tretën, dhe vendin e tyre e zuri arroganca dhe injoranca; kur politika e shndërroi atë në poligon rekrutimi për votuesit potencialë. Rezultat i kësaj qe improvizimi dhe kontrabandimi i letrave që dikush edhe mund t’i quan – diplomë.

Ndërrimi i emrit nga “Universiteti i Prishtinës”, në “Universiteti Hasan Prishtina”, jo që nuk ishte në rregull teknikisht e konceptualisht, por nuk i ndihmoi gjë Universitetit. Ani pse Universiteti prej formimit të vet pati përjetuar rënie dhe ngritje në përleshjet e veta me politikën, tash filloi të bashkëjetojë me të. Kjo bashkëjetesë ushqehej me patriotizëm të rrejshëm dhe me mashtrime për “të arriturat” pompoze.

Sot, Universiteti ka nevojë të jetë tamam Universitet, jo siç thonë romantikët “Tempull i dijes”, apo kritikët “Klub injorantësh”, “Tezgë e politikës”, “Klub patriotësh”, etj.

Sot, UP-ja është bërë arenë ku po sprovohen sisteme vlerash dhe forcash të llojllojshme ideologjike, duke filluar nga patriotizmi anakronik, nacionalizmi primitiv, anarkizmi, provincializmi, familjarizmi, karrierizmi, maçoizmi, seksizmi, feminizmi, materializmi, “fetarizmi”, “OJQ-izmi”, “privatizmi” dhe në fund, PROFITERIZMI, si vlerë dhe ideologji supreme. Ajo që sot po i mungon UP-së është pikërisht ajo për të cilën është krijuar – shkenca e mirëfilltë, dija, arsimi, hulumtimi, debati, kritika, risia, zhvillimi social, integrimi dhe emancipimi shoqëror. Kërkesa e studentëve për kthimin e dinjitetit ngjall shpresën se UP-ja do të ringjallet.

Ndoshta për shkak se ishte themeluar pas një revolte popullore, të sublimuar si Lëvizje Studentore (demonstratat e vitit 1968), po del se UP-ja qenka gjykuar nga historia që përgjithmonë ta ketë mbi kokë aureolën e pushtetit dhe politikës. Dhe sikur ajo aureolë vetëm t’i qëndronte mbi kokë, kjo do të ishte një e keqe më e vogël, por ajo po vazhdon ta zvarrë UP-në, prandaj vetëm një universitet që hiqet zvarrë nga politika, i zvarritë studentët e vet.

Çka po ndodh sot?

Nëse grupe studentësh përsërisin me ngulm kërkesën për dorëheqje të rektorit, rektori nuk do duhej t’i injoronte. Me dorëheqjen e shpejtë, për të cilën deklaroi se “nuk e ka ndërmend ta bëjë”, do t’i ndihmonte UP-së më shumë se sa me projektet të cilat planifikon t’i bëjë. Leksioni moral që do ta merrte çdo rektor i ardhshëm, dhe çdo udhëheqës tjetër universitar, do të ishte shumë më i vlefshëm sesa projektet të cilat edhe ashtu do të realizoheshin. Instalimi i sensit të përgjegjësisë para publikut do të ishte një kulturë e re, tepër e nevojshme për të tashmen dhe të ardhmen e UP-së dhe të shoqërisë në përgjithësi. Nuk do të duhej që edhe në universitet të ndodhë ajo që po ndodhë nëpër disa komuna – njëherë të dëshmohet fajësia, e pastaj dorëheqja. Për dorëheqjen në universitet si dhe në poste tjera publike, është i mjaftueshëm dyshimi. Mos prit më.

Nuk arsyetohet qëndrimi i menaxhmentit kur thotë se UP-ja i ka 60 mijë studentë, ndërsa protestuesit janë vetëm disa dhjetëra. Fundi i fundit, a janë më të rëndësishëm numrat apo parimet? Nuk është aq realiste të pritet se do të protestojnë të gjithë studentët, e as që mijëra syresh do ta bllokojnë punën.  Politika që “mendon për vete” me kohë ka menduar për pacifikimin e studentëve. Regjistrimet jashtë konkursit janë investim si në qetësinë sociale, ashtu edhe në atë të studentëve. Siç u kuptua nga arrestimet e fundit, këto regjistrime për dikë mbase mund të kenë qenë edhe burim profiti, por për shoqërinë në përgjithësi, ato janë një parezë e fortë e proceseve shoqërore, të cilat zakonisht iniciohen nga ana e studentëve. Kjo po dëshmohet tash, kur studentët nuk janë më në gjendje të reagojnë gati për asgjë si një tërësi, si një kategori, si një trup, si një lëvizje, si një frymë e cila bën ndryshim. Studentët janë fragmentuar nëpër organizata politike e parapolitike, dhe kjo tregon më së miri se në çfarë mase politika e ka ngulfatë Universitetin e njohur për rebelimet e tija. Pluralizmi studentor është shndërruar në një monizëm parazitor. Për më tepër, politika po krijon edhe universitete tjera të cilat qysh në start janë të ngulfatura.

Sot UP-së po i mungon studenti i pavarur dhe i çliruar nga ndikimet politike dhe ideologjike; studenti që kërkon dije, shkathtësi e mundësi për zhvillim e prosperim, e jo vetëm notë e diplomë; studenti i cili jo vetëm që absorbon por edhe ndihmon në krijimin e dijes dhe në transmetimin e saj; studenti i cili me dinjitet e përfaqëson veten e vet, universitetin, gjeneratën, kulturën dhe civilizimin bashkëkohor; studenti i cili i bën presion politikës e jo ai që bëhet mjet presioni nga ana e politikës; studenti të cilit jo vetëm se i premtohet, por edhe i besohet ardhmëria.

Sot UP-së i mungon profesori intelektual dhe i përgjegjshëm, i dijshëm dhe i hapur për dijet e reja; profesori i cili në shpirt e ndien misionin, e jo vetëm postin ose pozicionin; profesori i cili në bashkëveprim me kolegun, me studentin, me ekspertin, krijon dije të reja dhe ato dije i transmeton tek publiku; profesori i cili nuk bëhet vegël e strukturave politike e ideologjike, por i kritikon ato me qëllim përmirësimi; profesori i cili reflekton mbi proceset globale të njerëzimit, e jo vetëm mbi xhepin e vet personal; profesori i cili gjatë ditës shqetësohet nga dilemat dhe debatet profesionale, por natën fle i qetë me ndërgjegjen personale.

Sot UP-së po i mungon menaxhmenti i pavarur nga politika, i cili i jep llogari stafit dhe studentëve e jo shefave të pozitës apo opozitës; menaxhmenti i cili mendon për Universitetin duke filluar që prej rrethojave dhe djerrinave të kampusit të mbushura me bërllok, deri tek dokumentet e mbushura me frazeologji, të cilat as nuk kuptohen e as nuk zbatohen; menaxhmenti i cili ka vizion për të ardhmen dhe që reflekton me përgjegjësi për të sotmen.

Nesër

Për t’u vënë në marshin e pestë, Universiteti…

  • Duhet të çlirohet nga klanet, konjukturat dhe strukturat politike e ideologjike, të cilat mjetin e vetëm për mbrojtje dhe sundim e kanë patriotizmin anakronik.
  • Duhet të çlirohet nga mitomania e krijuar në të kaluarën. Dija universitare nuk është e shenjtë dhe ajo vazhdimisht duhet t’i nënshtrohet procesit të rishikimit, kritikës, verifikimit, ndryshimit, zhvillimit dhe zgjerimit. Tashmë është e ditur se universitetet nuk e mbajnë më monopolin e dijes dhe të së vërtetës.
  • Duhet të çlirohet nga mediokriteti nga i cili është përfshirë këmbë e krye. Stereotipi që e prodhon mediokriteti ta mbyt nervin.
  • Duhet të çlirohet nga nepotizmi, familjarizmi, lokalizmi dhe provincializmi. “Intelektualët” e UP-së nuk duhet të mendojnë për zëvendësimin e vet vetëm përmes fëmijëve të vet, por përmes studentëve të vet, përmes kolegëve të vet. Nuk është se fëmijët e profesorëve janë gjithmonë më të mirët për të qenë asistentë e për t’u bërë profesorë. Kjo dukuri e rrënon për së brendshmi motivin për sukses, parimin dhe perspektivën e Universitetit. Profesorët që e keqpërdorin autoritetin e vet nuk e meritojnë respektin. Kurrfarë solidarizimi mbi bazat e abuzimit nuk duhet të ndodhë.
  • Duhet të bëhet konkurrues, por edhe partner i denjë për bashkëpunim me universitetet e rajonit dhe të botës. Nuk duhet të mburremi vetëm me numrin e projekteve të kontraktuara ose marrëveshjeve të nënshkruara, por me kontributin, vlerat, dhe risitë që i ofrojmë në ato bashkëpunime. Nuk duhet të mburremi vetëm me fitimet që i realizojmë, por me dobinë që ia bëjmë publikut dhe vendit tonë.
  • Duhet të jetë i hapur ndaj vlerave civilizuese dhe trendëve bashkëkohorë. Këtë e mundëson dija, vullneti dhe teknologjia, por më shumë se këto, liria intelektuale e cila në Kosovë rri e mpirë, si me qenë e kafshuar nga gjarpri.

 

Autori është Profesor i Sociologjisë në UP.