Marrëveshje për përkthimin e 200 mijë faqeve të legjislacionit të BE-së
Gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Kosova do të jetë e obliguar të përkthejë rreth 200 mijë faqe të legjislacionit të BE-së në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.
Lajme
Ky obligim në fushën e përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian ka shtuar nevojën për Marrëveshje Bashkëpunimi midis Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Universitetit të Prishtinës, e cila u nënshkrua të premten nga ministri Bekim Çollaku dhe rektori Ramadan Zejnullahu.
Marrëveshja e Bashkëpunimit parasheh themelimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përmes:
– Trajnimit të stafit dhe të studentëve në përdorimin e sistemeve softuerike për përkthim, të degës Master për Përkthim, të Fakultetit Filologjik;
– Pranimin e studentëve për kryerjen e praktikës brenda Divizionit të Përkthimit dhe Terminologjisë së Acquis, në Ministrinë e Integrimit Evropian; si dhe
– Bashkëpunimit në fushën e krijimit të databazës së terminologjisë për përkthim duke përdorur fjalorë dhe glosarë të ndryshëm.
Gjatë këtij takimi, ministri Çollaku dhe rektori Zejnullahu diskutuan rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE dhe zhvillimet më të fundit në Universitetin e Prishtinës.